Fjalë Kyçe

Shoqata për Energji të Ripërtëritshme paralajmëron se raportin e grupit punues të MMPH-së për hidrocentrale do ta dërgojë në Arbitrazh

Shoqata për Energji të Ripërtëritshme paralajmëron se raportin e grupit punues të MMPH-së për hidrocentrale do ta dërgojë në Arbitrazh

Shoqata për Energji të Ripërtëritshme e Kosovës i ka reaguar ministrit të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës Liburn Aliut për deklaratat e tij publike në lidhje me hidrocentralet dhe pas publikimit të raportit të grupit punues të kësaj ministrie të cilin e ka quajtur tendencioz.

Kjo shoqatë ka sqaruar secilën prej të gjeturave të grupit punues të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës në lidhje me hidrocentralet në operim në Kosovë të cilat i ka cilësuar si ‘lajthitje’.

Shoqata për Energji të Ripërtëritshme e Kosovës ka paralajmëruar se raportin e Grupit Punues të MMPH-së do ta dërgojë në Prokurorinë e Shtetit dhe në Arbitrazh të Londrës duke pretenduar se i janë shkelur të drejtat e njeriut.

“Marrë parasysh gjithë këto sulme të qëllimshme, vetëm në dëm të investitorëve vendorë dhe të jashtëm, në rast se ministria do të marrë ndonjë vendim përtej asaj që është e prezantuar nga ana e investitorëve seriozë dhe të përgjegjshëm raportin e Grupit Punues do ta dorëzojmë në Prokurorinë e Shtetit dhe njëkohësisht do t’i drejtohemi Arbitrazhit në Londër, pasi që neve na janë shkelur të gjitha të drejta themelore të njeriut, për të jetuar e punuar në pajtim me Kushtetutën, ligjet, aktet nënligjore dhe Lejet Ujore dhe Mjedisore të lëshuara nga organet e shtetit, e jo nga ne, sepse ne gabimin e vetëm që do ta konsideronim do të ishte vullneti për investime dhe aplikimi për t’u pajisur me lejet përkatëse dhe hyrja në obligime milionëshe nëpër Banka Komerciale dhe duke rrezikuar hipoteka dhe pasuri familjare për zhvillimin e projekteve në të mirë të qytetarëve të vendit, ku janë punësuar me qindra-dhjetëra punonjës me kontrata afatgjate, dhe ju është kthyer shpresa se do të mund të jetojnë në këtë vend”, thuhet në reagimin e tyre.