Fjalë Kyçe

Shpenzimet e udhëtimit, Thaçi: Deputeti që mashtron s’ka legjitimitet për të përfaqësuar qytetarin

Shpenzimet e udhëtimit, Thaçi: Deputeti që mashtron s’ka legjitimitet për të përfaqësuar qytetarin

Opinionisti Jusuf Thaçi ka reaguar pas publikimit të shpenzimeve të deputetëve për udhëtimin. Ai thotë se nëse ata kanë mashtruar, duhet të dorëhiqen. Nëse një gjë e tillë nuk ndodh, Thaçi ka treguar se cilët hapa do të duhej të ndiqeshin.

Shpenzimet e larta të deputetëve për naftë kanë ngjallur reagime të shumta. Raportohet se deputetët kanë mashtruar për të përfituar paratë e shtetit.

Jusuf Thaçi thotë se një deputet që mashtron s’ka legjitimitet për të përfaqësuar qytetarin.

“Nëse konfirmohet se ndonjë deputet/e ka mashtruar në lidhje me shpenzimet e udhëtimit, përkatësisht ka përvetësuar para publike përmes mashtrimit, atëherë:

1. Ai/ajo duhet të japë dorëheqje nga pozita e deputetit, sepse më nuk e ka as integritet e as legjitimitet për ta përfaqësuar qytetarin.

2. Nëse ai/ajo nuk jep dorëheqje, atëherë është detyrë e subjektit politik që i përket ai/ajo që ta largojë nga grupi parlamentar dhe nga partia (meqë mandatin e deputetit nuk mund t’ia marrë). Nëse partia nuk ndërmerr asgjë ndaj tij/saj, atëherë është bashkëfajtore për këtë mashtrim.

3. Prokuroria dhe gjyqësia duhet të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme ndaj atij/asaj deputeti/eje për mashtrim dhe përvetësim të parasë publike në mënyrë të kundërligjshme, sepse deputetët nuk kanë imunitet për vepra penale.

Ndërsa, rastet tjera kur deputetët e shfrytëzojnë këtë të drejtë që ua mundëson legjislacioni në fuqi, pa e keqpërdorur, ky është diskutim krejt tjetër.”, shkroi Thaçi në llogarinë e tij në Facebook./express