Fjalë Kyçe

“Shpërblimet e majme për informata s’i merr kurrkush”

“Shpërblimet e majme për informata s’i merr kurrkush”

Krejt çka u la pas nga ekzekutimi i trefishtë në Gllogjan, të premten e 26 nëntorit, janë plumbat.

Organet e hetuesisë nuk kanë ende një të dyshuar për vrasjen e dy nxënësve dhe vozitësit të autobusit. Për të marrë më shumë informata bazike në lidhje me dorasin e mundshëm nuk po kryen punë as shpërblimi prej 20 mijë eurosh që ofroi qeveria, njofton Klan Kosova.

Kjo formë e joshjes në shpresë të zbardhjes së krimeve nuk është e re në vend. Por, nuk është se nxiti njerëzit të flasin e ofrojnë dëshmi.

Ish-drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, ka treguar se vetëm në një rast, që ishte arratisje nga burgu i Dubravës në vitin 2010, personi që ofroi informacione për policinë morri shpërblimin që ishte ofruar.

Mirëpo, ndër vite askush nuk dha informacione për vrasjen e Elvis Pistës në Rahovec, më 2014. Zero është numri i atyre që ofruan dicka edhe për ekzekutuesin e politikanit Oliver Ivanoviq më 16 janar 2018, në Mitrovicën e Veriut. Informatori, në të dyja rastet, do të paguhej 10 mijë euro.

Për të gjetur vrasës përmes shpërblimit, mundohet edhe EULEX-i. Prej tetë vjetësh ky mision nuk di si u vra ish-doganieri i tyre, Audrius Šenavičius.

“Në shtator 2013, EULEX-i e ka ofruar një shpërblim për informata që do të sillnin deri te arrestimi i i kryerësit(ve) të vrasjes së pjesëtarit të personelit të tij Audrius Šenavičius, i cili e humbi jetën kur automjeti i tij u sulmua me armë nga persona të panjohur në pjesën veriore të Kosovës. Shpërblimi prej 82.000 eurosh për informata të cilat do të sillnin deri te arrestimi dhe dënimi i kryerësit(ve) të vrasjes është ende në dispozicion”,  thuhet në përgjigjen e këtij Misioni.