Fjalë Kyçe

Shpërthejnë gypat e kanalizimit në Fushë Kosovë

Shpërthejnë gypat e kanalizimit në Fushë Kosovë

Në Fushë Kosovë, në rrugën Cajupi, kanë shpërthyer gypat e kanalizimeve. Kjo sipas banorëve të kësaj lagje ka ndodhur dje, por as sot, askush nga organet kompetente nuk ka shkuar ta evitojë problemin.

Në adresë të portalit Koha.net kanë ardhur disa ankesa nga banorët, duke faktuar me fotografi shpërthimin dhe të rrjedhat e fekaleve.

Koha.net ka kontaktuar zëdhënësen e KRU “Prishtina”, Arjeta Mjeku, për të mësuar nëse do të merren me këtë problem, por të shtunën gjatë ditës ajo nuk ishte e qasshme. Portali i ka adresuar edhe një e-mail por as aty s’pati përgjigje.

Banorët ankohen se kundërmimi po ju shkakton shumë probleme, aq më tepër gjatë ditës kur moti është më i ngrohtë.

Kujtojmë që pak ditë më parë, kur reshjet e shiut ishin më të pranishme, e shumë qytete e lagje u vërshuan e pati ankesa për kanalizimet e shpërthyera, KRU “Prishtina” tha se ky problem është kryesisht te lagjet me ndërtime të reja, e për Prishtinën, problemin e hodhi tek Komuna.