Fjalë Kyçe

Shpërthen kanalizimi në Fushë Kosovë, banorët të frikësuar se mos paraqitet ndonjë sëmundje

Shpërthen kanalizimi në Fushë Kosovë, banorët të frikësuar se mos paraqitet ndonjë sëmundje

Shumë qytete në Kosovë kanë problem me rrjetin e kanalizimit. Reshjet e shiut gjithnjë shkaktojnë telashe të kësaj natyre në disa zona.

E me një problem të tillë po përballen edhe banorët e rrugës “Hajrullah Zymi” në Fushë Kosovë.

Ata ankohen se po rrezikohen edhe nga paraqitja e ndonjë sëmundje për shkak të ujërave të zeza të cilët sa herë që ka të reshura dalin mbi sipërfaqe.

“Ka kohë që sa herë të ketë të reshura rruga kthehet në këtë formë. Uji që del nga kanalizimi merr edhe bodrumet e banesave. Duke parë që edhe kazanët e mbeturinave janë afër, frikësohemi për përhapjen e ndonjë sëmundje”, ka thënë për Telegrafin, Arlinda Haxhimusa banore në këtë lagje.

Përveç vështirësive në qarkullim që ua shkakton ky problem, banorët ankohen edhe për kundërmim e kjo si pasojë edhe e mbeturinave.

“Kemi kontaktuar autoritetet e komunës së Fushë Kosovës, por deri tani nuk kanë marrë ndonjë veprim. Kjo është rrugë kryesore ku kalojnë shumë vetura, por edhe fëmijët i dërgojmë në shkollë. Era është e rëndë pasi edhe mbeturinat janë afër. Shpresojmë që të vijnë ta zgjedhin sa më parë këtë problem”, ka thënë për Telegrafin, Shaban Grajqevci gjithashtu banorë në këtë pjesë.

Kujtojmë se me probleme të tilla nuk ballafaqohen vetëm banorët e Fushë Kosovës, probleme të tilla ka edhe në qytetet tjera e sidomos në kryeqytet ku shpesh herë kemi parë që si pasojë e reshjeve janë vërshuar rrugët dhe qarkullimi në to ka qenë shumë i vështirë.