Fjalë Kyçe

Shpronësimet e paligjshme, tre zyrtarë të komunës së Prishtinës mohojnë fajësinë

Shpronësimet e paligjshme, tre zyrtarë të komunës së Prishtinës mohojnë fajësinë

Zyrtarët e Komunës së Prishtinë, Visar Berisha, Shemsedin Thaqi dhe Fitore Byqmeti janë deklaruar të pafajshëm për keqpërdorim të detyrës zyrtare, në seancën e shqyrtimit fillestar, mbajtur të enjten, në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Fitore Byqmeti po akuzohet në cilësi të zyrtares së lartë në Drejtorinë e Financave dhe Pronës në Komunë të Prishtinës, kurse Visar Berisha në cilësi të drejtorit të Drejtorisë së Financave dhe Pronës, ndërkaq Shemsedin Thaqi po akuzohet në cilësi të shefit të sektorit të pronës në këtë drejtori.

E akuzuara Byqmeti e Shemsedin Thaqi kanë deklaruar se ende punojnë në Komunë të Prishtinës.

Pas leximit të aktit akuzues nga prokurori Rafet Halimi, të akuzuarit kanë deklaruar se ndihen të pafajshëm për veprën penale që u vihet në barrë nga Prokuroria Themelore në Prishtinë.

Gjykatësja Violeta Namani, i ka informuar të akuzuarit për të drejtën e paraqitjes së kërkesës për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave, si dhe u ka thënë se gjykata lidhur me to do të vendos me aktvendim të veçantë.

Sipas aktakuzës së përpiluar më 15 nëntor 2018, thuhet se ekziston dyshimi i bazuar mirë se të akuzuarit si persona zyrtarë së bashku kanë shfrytëzuar detyrën zyrtare, duke i tejkaluar kompetencat me qëllim që tjetrit t’i shkaktojnë dëm.

Këtë prokuroria pretendon se e kanë bërë duke vënë nënshkrimet e tyre në parashtresën e datës 28 tetor 2014, të përpiluar nga e akuzuara Byqmeti, zyrtare e lartë për pronësim e shpronësim në Drejtorinë e Financave dhe Pronës në Komunën e Prishtinës, e thuhet se Visar Berisha, në cilësi të drejtorit të Drejtorisë së Financave dhe Pronës dhe  Shemsedin Thaqi, në cilësi të shefit të sektorit të pronës në këtë drejtori kanë shprehur pajtimin e përbashkët me të akuzuarën Byqmeti që të kërkohet depozitimi i mjeteve financiare në xhirollogarinë e mirëbesimit në Bankën Qendrore të Kosovës, në emër të Komunës së Prishtinës për kompensimin e parcelës kadastrale nr. 756-5, Zona Kadastrale, Matiqan, sipas vendimit të kryetarit të Komunës të datës 27 qershor 2013.

Po ashtu, thuhet se me parashtresën e 11 nëntorit të vitit 2014, dy të bashkëpandehurit Visar Berisha dhe Shemsedin Thaqi duke vënë nënshkrimet e tyre në kërkesën e të akuzuarës Byqmeti  kanë shprehur pajtimin e plotë të përbashkët me të që të bëhet edhe regjistrimi në operatin kadastral të pjesëve të parcelave kadastrale nr.754-2, nr. 756-12, 756-13, 756-5 ,756-4 dhe 756-8, zona kadastrale Matiqan, në emër të Komunës së Prishtinës, sipas vendimeve përfundimtare të datave 27 qershor 2013 dhe 22 korrik 2013, me të cilat vendime është miratuar shpronësimi i parcelave sipas listave të bashkëngjitur me këto vendime “për arritjen e qëllimit dhe përfitimit të ligjshëm publik”, që sipas planit rregullues “Mati 1” ishte paraparë realizimi i projektit të ndërtimit të rrugës “Enver Maloku Faza-2”, edhe pse parcelat e tilla sipas dokumentacionit kadastral nuk kanë qenë pronë shoqërore, por pronë private e të dëmtuarve Emine Rrustemaj, Nasim Rrustemit dhe Ilir Rrustemit, me çka tre të pandehurit nuk kanë respektuar dispozitën e nenit 26 të Ligjit për Shpronësimin e Pronës së Paluajtshme, duke prekur kështu të drejtat pronësore të të dëmtuarve, meqë vendimet e mësipërme të shpronësimit janë zbatuar para se plotësohen kushtet ligjore, sipas nenit 16 të këtij ligji.

Kjo sipas akuzës, ngase paraprakisht nuk ishte bërë pagesa e plotë e shpronësimeve si kusht për ndryshimet e mëvonshme kadastrale për bartjen e pronës, por janë deponuar 370 mijë euro nga Komuna e Prishtinës, në xhirollogarinë e mirëbesimit në emër të të dëmtuarve në BQK, më 29 tetor 2014, ku nuk është llogaritur edhe interesi prej 7%, e cila përqindje thuhet se arrin rreth 50 mijë euro. /BetimipërDrejtësi