Fjalë Kyçe

Shqipëria i ka lakmi Kosovës për organizimin e zgjedhjeve

Shqipëria i ka lakmi Kosovës për organizimin e zgjedhjeve

Kosova, me organizimin e zgjedhjeve të gjashtë tetorit, i ka dhënë leksion Shqipërisë që është e përfshirë në një paqartësi politike, me opozitën që nuk mori pjesë në zgjedhjet lokale, të cilat i fituan bindshëm socialistët në krye me Edi Ramën.

Politikanë e aktivistë të shumtë të shoqërisë civile në Shqipëri, kanë shfrytëzuar rrjetet sociale për të deklaruar se Shqipëria duhet t’ia marrë lakmi Kosovës për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor dhe pranimit të rezultatit të tyre.

Duke komentuar fitoren e Albin Kurtit me Lëvizjen Vetëvendosje dhe renditjen si e dyta, të Vjosa Osmanit me LDK-në, Ditmir Bushati, ish-ministër në Qeverinë e Edi Ramës, tha se Kosova i dha mësime Shqipërisë.

“Kosova, një dekadë shtet, na dha mësime të vlefshme, edhe pse ne kemi lënë pas një shekull shtet. Në demokraci zgjedhjet janë garë vlerash dhe jo të fortësh. Partitë politike i nënshtrohen konfirmimit të vendimeve nga populli, ku qytetarët kanë mundësi të rendisin të preferuarit e tyre në listat e kandidatëve për deputetë, çka forcon kontrollin demokratik ndaj vendimmarrjes”, ka shkruar Bushati në Facebook.

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, shpalli zgjedhjet për 30 qershor, të cilat i anuloi më vonë, për ta shpallur 13 tetorin si datë të re të zgjedhjeve. Rezultatin e zgjedhjeve që i fituan socialistët, nuk i ka pranuar Partia Demokratike e prirë nga Lulzim Basha.

E Partia Demokratike në Kosovë, pranoi humbjet e zgjedhjeve me kryetarin Kadri Veseli që tha se do të shkonte menjëherë në opozitë.

Pranimi i humbjes ishte në vëmendjen e gazetarit nga Shqipëria, Skënder Minxhozi.

Minxhozi me një shkrim të publikuar me titullin: Kadri Veseli turpëroi Tiranën, tha se Kosova tregoi se si mbahet një proces i mirëfilltë zgjedhor.

“Në fakt, s’na ka turpëruar vetëm ai. Na ka turpëruar e gjithë klasa politike kosovare, e cila i tregoi pjesës tjetër të kombit, klasës politike të Tiranës, se si votohet, se si numërohen votat dhe mbi të gjitha, se si humbet. Në këtë pikë humbësit, PDK e të tjerët, dhanë mësimin madhor të pranimit civil të rezultatit. Sepse të gjithë janë gati të thonë ‘Fituam’, puna është kush thotë ‘Humbëm’”, ka shkruar ish-deputeti Minxhozi që tutje shton se elita politike në Kosovë gjatë viteve të fundit ka pasur sjellje të qetë dhe etike mes vete.

Minxhozi shkruan se politika e Tiranës më shumë i ngjason një cirku gladiatorësh, ndërsa vlerësoi se Kosova po përmirësohet më shpejt në përvojën politike sesa Shqipëria

E për ekonomistin Dritan Shano, Kosova tregoi një frymë evropiane me organizimin e zgjedhjeve.

“Është e qartë, dhe prej dje u provua me forcë, se në Kosovë ka një ndërgjegje institucionale të markës europiane, gjë e cila në Shqipëri nuk është lejuar të ndodhë. Kjo për shkak se ne në Shqipëri, nuk kemi ndërmend të zhvillojmë betejën politike te zotësia e politikanëve për të qeverisur mirë, por te fuqia e liderit për të kapur dhe mbajtur pushtetin, pavarësisht cilësisë së qeverisjes, gjë e cila është materializuar te ndryshimet e Kushtetutës dhe Kodit Zgjedhor”, ka shkruar veç të tjerash ai.