Fjalë Kyçe

SHSKUK e konsideron të paligjshme grevën e 157 kirurgëve të QKUK-së

SHSKUK e konsideron të paligjshme grevën e 157 kirurgëve të QKUK-së

Ndonëse Federata Sindikale e Shëndetësisë e ka pezulluar grevën, disa kirurgë kanë vendosur të vazhdojnë grevën deri në plotësimin e kërkesave nga ana e qeverisë së Kosovës.

Ndërkaq, drejtues të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës po e konsiderojnë këtë grevë të paligjshme.

Edhe pse Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së  Kosovës, ka pezulluar grevën që ishte paralamruar të rifillonte me 3 janar, kirurgët po vazhdojnë të mbajnë grevë. Drejtori i SHSKUK-së, Basri Sejdiu, ka thënë se kjo grevë po mbahet vetëm nga disa individë, dhe si e tillë është e kundërligjshme.

“Janë disa grupe të individëve për të cilët me thënë të drejtën unë kam dhënë një urdhër, dhe nga aspekti human dhe ligjor, duhet të respektohet kontrata e punës dhe puna të zhvillohet normalisht. I kam takuar drejtorët dhe u kam sqaruar se në kontaktet që kam pasur edhe me Ministrin e Shëndetësisë por edhe me institucionet tona, me kanë thënë që prej 17 deri 22 do të votohet ligji i pagave së bashku me buxhetin”, tha Basri Sejdiu për RTV Dukagjinin.

Ndërsa, përfaqësuesi i kirurgëve që po mbajnë grevë, Arbër Morina, tha se FSSHK e ka humbur kredibilitetin dhe nuk i kanë përfaqësuar kërkesat e kirurgëve. Sipas tij, greva do të zgjas derisa të realizohen kërkesat e tyre.

“Neve realisht nuk na intereson mënyra se si Qeveria apo institucionet tjera do ta mendojnë rritjen e rrogës, ekzistojnë shumë modalitete por neve nuk na intereson ajo punë. Ne ndërpresim grevën në momentin kur e shohim se në kontot tona dalin rrogat me rritje”, tha Arbër Morina.

Ai po ashtu ka deklaruar se po kërcënohen nga drejtori i SHSKUK-së për vendimin që ata kanë marrë që të vazhdojnë grevën.

“Drejtori dhe strukturat e tij kanë filluar kërcënimet ndaj nesh. Ne zyrtarisht kemi njoftuar edhe Ministrin e Shëndetësisë edhe Drejtorin e SHSKUK-së që greva është një e drejtë legjitime e çdo individi në Republikën e Kosovës. Drejtoritë përkatëse që vazhdojnë me kërcënime do të raportohen në Inspektoratin e Punës, dhe do të përballen me penalizime sipas ligjit në fuqi”, deklaroi më tej kirurgu Arbër Morina.

Sipas Morinës, greva e cila po mbahet nga 157 kirurgë është e ligjshme. Ndërsa në ligjin për greva në nenin 6 thuhet:

” Greva organizohet nga një sindikatë, që ka cilësinë e personit juridik dhe është e

regjistruar në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale.

-Organizohet nga gjysma e të punësuarve brenda një organizate punuese

– Greva ka për qëllim të realizojë kërkesat nga marrëdhënia e punës, sipas ligjit dhe

Kontratës së punës.

Në anën tjetër, avokati Musa Damati, përmes një përgjigje elektronike për RTV Dukagjinin thotë se në organizatat në të cilat ekziston organizimi sindikal, të drejtën e organizimit të grevës e ka sindikata. Megjithatë sipas tij punëtorët e pakënaqur me kushtet e punës kanë të drejtë ta bojkotojnë punën.