Shtatë lojtarë të përfaqësueses së Eritreas në futboll janë zhdukur gjatë një turneu në Ugandë, ka thënë një zyrtar i Federatës të martën dhe, sipas tij, është hera e dytë në dy muaj që futbollistët ikin gjatë turneve në Ugandë.
Sportistët nga Eritrea vazhdimisht kanë refuzuar të kthehen në shtëpi, pasi kanë dalë për gara ndërkombëtare në dekadat e fundit, ndërsa në shumicën e rasteve kanë kërkuar azil. Mijëra eritreas ikin nga shteti i vogël në Afrikë çdo vit për shkak të regjimit në këtë vend.
Shtatë futbollistët kanë shmangur sigurimin e ngjeshur në hotel të hënën pasdite, ka thënë Rogers Mulindwa, zëdhënës i asociacionit regjional të futbollit CECAFA, që po organizonte turneun, përcjell agjencia “Reuters”, transmeton Koha Ditore.
Pjesa e tjetër e skuadrës është kthyer, pasi humbi 3:0 në finale ndaj Ugandës në CECAFA Senior Challenge Cup. Në tetor, pesë lojtarë të Eritreas u zhdukën nga hoteli gjatë turneut tjetër të organizuar nga CECAFA në Ugandë.
Në vitin 2014, 14 anëtarë të skuadrës së Eritreas në futboll u zhdukën, sërish duke luajtur në turneun CECAFA në Ugandë. Eritrea drejtohet nga presidenti Isaias Afwerki që nga pavarësia e saj nga Etiopia në vitin 1993.