Fjalë Kyçe

Shuarja e një familjeje, flet axha: U nisën për të shkuar të miqtë, prisnin të hynin në banesë të re

Shuarja e një familjeje, flet axha: U nisën për të shkuar të miqtë, prisnin të hynin në banesë të re

Familja Ramadani nga Shtimja u shua dje në një aksident të rëndë trafiku në fshatin Koshare të Ferizajt. Në vendin e ngjarjes vdiq Naim Ramadani 39 vjeç, nëna e tij (60), gruaja (32) dhe djali (10). Në gjendje kome vazhdon të ndodhet motra e tyre, e cila po trajtohet në QKUK në Prishtinë. Për ngjarjen që tronditi gjithë vendin, Gazeta Express ka qëndruar sot në Shtime dhe nga atje sjell rrëfimet e axhës së kryefamiljarit, drejtorit të shkollës ku 10-vjeçari kishte vijuar mësimet deri në klasën e katërt dhe të kryetarit të Komunës Naim Ismajli. Të gjithë apelojnë për kujdes dhe vëmendje të shtuar në komunikacion.

Për shkak të pikëllimit të madh shoqet dhe shokët e klasës së nxënësit të shkëlqyer Yllit, nuk arritën ta mbajnë mësimin, ndërsa në bankën ku ai ulej ishte vendosur një lule dhe fotografia e tij. Mësuesja e tij ka thënë se gjatë katër vjetëve mësim sa ka qenë mësuese e tij, në asnjë situatë, Yllit nuk ka pasur nevojë t’i tërhiqet vërejtja.

“Pra, ka qenë i qetë, i edukuar, i shkëlqyeshëm, i sjellshëm dhe dëshira e tij më e madhe ka qenë të luajë me shokë”, pohon drejtori i shkollës “Emin Duraku” në Shtime.

Mes dhimbjes e lotëve, axha i të ndjerit, Sali Ramadani, ka rrëfyer momentin kur morën lajmin e kobshëm dhe përgatitjen e familjes që të hynin në banesë të re.

Ai tha se nipi i tij dje kishte marrë rrugë për të shkuar të miqtë, (familjarët e gruas së tij).
“Unë jam Sali Ramadani, axha i Naimit. Këtë rast e kemi përjetu boll rëndë, por s’kemi çka me bë, ndodhin këto sene, komunikacion është. Ne send s’kemi pas të keqe me të (personin që ishte përfshirë në aksident), as s’e njohim as ai s’na njeh, ka ndodh. Te miqtë e vetë ka pas me shku, 20 minuta nga këtu u nda prej neve dhe shkoi për rrugë. Veç kur e dëgjuam ndihmën e shpejtë, shkuam e pam kerrin. Bile policia s’na lanë por ju thash familjar i imi, tha urno hajde. Lajmin e morëm përmes internetit, telefonit. Janë ardhë policia më pas me na lajmëru…”, tha axha i të ndjerit.

Ai tha se motra e viktimës vazhdon të jetë në gjendje të rëndë në QKUK, për shkak të lëndimeve të marra në aksident.

“Më duket që djali i vogël dhe gruaja s’kanë pas shenja jete, janë vdek në vend. Ai personalisht askënd s’e ka lënë, dera e shtëpisë është mbyll. Një motër e ka në spital edhe ajo është pikëpyetje a mundet me jetu apo jo….Krejt e ka kry banesën, e ka pas gati, veç ka pas sa më shpejt me hy….Këtu ne kemi nejt me të, i çojshim mobile. Unë s’e kam ditë që po shkon të dajët e gruas, të miqtë e vetë, veç kur nijtëm që ndodhi kjo. Në se kemi ditë që është ky, por Golfin e kemi pa, e njoftëm. Më duket se krejt ishin vdekë në vendin e ngjarjes, veç ajo çika ka mbijetu. Ajo është në gjendje të rëndë, vetëdije s’ka”, u shpreh ai.

“Sa më kadal me vozitë, po shteti duhet me i vendos kamerat që të shkon dënimi, si në shtete të tjera. E këtu s’ka, këtu s’po dënojnë”, përfundoi ai.

Fidan Shaqiri, Drejtori i Shkollës fillore fillore “Emin Duraku”, rrëfeu reagimin e shokëvë dhe shoqeve të klasës së 12-vjeçarit, të cilët nuk arritën të mbajnë mësimin për shkak të pikëllimit.

“Fillimisht me mësuesen e tij, Ibadete Arifi, në mëngjes jam konsultuar dhe kam marrë informacione për karakterin e Yllit. Më ka befasuar mësuesja me fjalë miradie ndaj Yllit, të ndjerit tashmë, sepse thuhet se gjatë 4 viteve mësim sa ka qenë mësuese, në asnjë situatë, Yllit nuk ka pasur nevojë t’i tërhiqet vërejtja. Pra, ka qenë i qetë, i edukuar, i shkëlqyeshëm, i sjellshëm dhe dëshira e tij më e madhe ka qenë të luajë me shokë. Ky ka qenë karakteri i Yllit….Për shkak se kanë qajtë të gjithë fëmijët, ka plas vaji, jemi detyruar që t’i njoftojmë prindërit e asaj klase që të vijnë t’i marrin fëmijët dhe t’i kthejnë në mësim. Pra mësimi nuk është mbajtur në klasën e Yllit për shkak të emocioneve të papërmbajtura të fëmijëve”, tha Shaqiri për Gazetën Express.

Ndërsa, shton se përveç mbajtjes së mësimit shkolla i ka ndërprerë aktivitetet për shkak të tragjedisë së ndodhur një ditë më parë.

“Me vendim të kryetarit të Shtimës, Naim Ismajli, është marrë vendim që të ndërprehen të gjitha aktivitetet brenda komunës. Edhe ne si shkollë, përveç procesit mësimor, i kemi ndërprerë të gjitha aktivitetet. Kurse, në shenjë nderimi për nxënësit kemi vendos një buqetë me lule në bankën në të cilën ka qenë ulur Ylli”, tha ai.

Sot në Komunën e Shtimës është shpallur ditë zie dhe flamujt janë ulur në gjysmë shtizë. Kryetari Naim Ismajli ka folur me dhimbje të madhe për aksidentin tragjik, teksa familjen Ramadani e ka përshkruar si shumë punëtore dhe fisnike.

“Është një familje që po mundohet të gjejë kurajo, është një familje fisnike. Shumë punëtore, që përkundër dhimbjes është e vetëdijshme që në komunikacion vdekjet që ndodhin janë produkt i komunikacionit dhe nuk janë asnjëherë të qëllimshme. Në këtë drejtim është edhe qasja e tyre”, tha Ismajli.

Ai tha se kanë pas komunikim edhe me kryetarin e Ferizajt, Agim Aliu, pasi vetura tjetër që u përfshi në aksident është e një qytetari nga kjo komunë.

“Aksidenti tragjik që ka ndodhur në rrugën Shtime-Ferizaj, ku katër pjesëtarë të familjes Ramadani kanë ndërruar jetë, një është në gjendje të rëndë në spital. Ka qenë jo vetëm përjetim dhe dhimbje për familjen, por për të gjithë qytetarët e Komunës së Shtimës dhe duke parë këto rrethana, unë sot kam shpall Ditë Zie. Sepse nuk ka rast më të rëndë që mund ta ketë një komunë, në këtë ditë zie bashkëndjejmë dhimbjen me familjen.

Ne kemi pas komunikim të vazhdueshëm edhe me policinë dhe Emergjencën për të ditur për fatin e të mbijetuarës, sepse informacionet për të vdekurit i kishim nga ora e parë e aksidentit. Kam vizituar familjen, për t’i ngushëlluar.

Kemi pas komunikim edhe me kryetarin e Ferizajt, Agim Aliu, i cili në këtë rast ka marrë një komunikim nga familja që ka qenë e përfshime në aksident, dhe përveç që ka shpreh ngushëllimë për familjen, përmes nesh edhe e kanë përcjellë këtë te familja. Familja Ramadani e shpreh atë se në komunikacion nuk kanë pas dëshirë as familja tjetër”, shtoi Ismajli.

Tutje, ai apeloi të gjithë qytetarët që t’i repektojnë në maksimum shenjat e komunikacionit dhe kushtet e komunikacionit.

“Të mundohemi t’i respektojmë maksimalisht shenjat e komunikacionit dhe kushtet e komunikacionit. Besojmë që qytetarët duke bashkëndjerë dhimbjen, ta shtojnë kujdesin të jemi më të vëmendshëm në komunikacion. Sepse përveç që në komunikacion rrezikojmë jetën tonë, me veprimin tonë mund të rrezikojmë edhe jetën e të tjerëve”, përfundoi ai.

Pas aksidentit, Prokuororia Themelore e Ferizajt, ka ndaluar një person të dyshuar në kohëzgjatje prej 48-orësh, për shkak të dyshimit të veprës penale “Rrezikimi i trafikut publik”. Bëhet fjalë për personin me inicialet E.M., i cili sipas prokurorisë ka tejkaluar në vijë të plotë dhe nuk iu ka përshtatur kushteve të rrugës.

“I pandehuri E.M., duke drejtuar automjetin e markës “Audi A8”, me të arritur përballë firmës “LS Qeramika” nga pakujdesia, ka vepruar në kundërshtim me ligjin për rregullat e trafikut rrugor dhe duke mos ia’ përshtatur shpejtësinë e lëvizjes kushteve të rrugës në vendbanim dhe duke mos i respektuar rregullat e komunikacionit, tejkalon në vijë të plotë dhe kalon në shiritin e majtë rrugor dhe me pjesën e përparme të automjetit e godet automjetin e markës “Golf II”, i cili ishte duke lëvizur nga drejtimi i kundërt Shtime-Ferizaj, ku në këtë aksident pësojnë lëndime vdekje-prurëse drejtuesi i automjetit “Golf II” N.R., dhe tre pasagjerët e tjerë, tani të ndjerët Xh.R., S.R., dhe djali i tij i mitur, ndërsa, lëndime të rënda trupore pëson pasagjerja I.R., e cila është dërguar në Qendrën Klinike Univeristare të Kosovës (QKUK) për tretman të mëtejmë”, ka njoftuar prokuroria.

Gjithashtu, prokuoria ka bërë të ditur brenda afatit ligjor, ndaj të njëjtit, do të paraqesë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në Gjykatën Themelore në Ferizaj.