Aktori i njohur amerikan, Peter Fonda, ka vdekur në moshën 79 vjeçare. Lajmin e ka bërë të ditur familja e tij. Fonda vuante nga kanceri në mushkëri.
Ai ishte skenarist, producent dhe aktor në filmin klasik të vitit 1969, “Easy Rider”. Merret vesh se ai vdiq paqësisht në shtëpinë e tij në Los Angeles të premten.
Ai ishte i biri i Henry Fonda-s dhe vëllai i vogël i Jane Fonda-s. “Me pikëllim të thellë ju njoftojmë për lajmin se Peter Fonda ka vdekur”, thuhet në deklaratën e familjes.
“Në një nga momentet më të vështira të jetës sonë, nuk po mund t’i gjejmë fjalët e duhura për ta shprehur dhimbjen në zemrat tona. Në këto ditë zie, kërkojmë nga ju që ta respektoni privatësinë tonë”, thuhet më tej në këtë deklaratë.
Familja tha se shkaku i vdekjes së tij ishte bllokimi i frymëmarrjes për shkak të kancerit në mushkëri.
Fonda ishte nominuar dy herë për çmimin “Oscar”. Ai është lindur në Nju Jork në vitin 1940 dhe ishte vetëm 10 vjeç kur i kishte vdekur nëna, shkruan “The Guardian”.