Egzona Totaj kishte përfunduar studimet në Kolegjin UBT në vitin 2014-2015.
Për studimet master në Arkitekturë, ajo është pranuar në një nga Universitetet e Lituanisë, raporton KTV.
Tre shtatori është afati i fundit për t’i dërguar dokumentet atje, por si pasojë e mosprotokollimit të librave amëz të UBT-së nga MASHT-i, ajo rrezikon që ta humbë këtë mundësi.
Me problemin e vërtetësisë së diplomës po ballafaqohet edhe Lindrit Berisha.
Më herët për këtë shkak ata kishin humbur mundësinë për të studiuar në Universitetin e Luksemburgut.
Njohësit e arsimit në vend këtë e shohin si neglizhencë dhe keqpërdorim të Ministrisë së Arsimit, por edhe të institucioneve të larta arsimore.
Ministria e Arsimit nuk i kishte protokolluar librat amëz me të dhënat e studentëve të gjeneratës 2014-2015 të Kolegjit UBT.
Zyrtarë të këtij institucioni nuk kanë kthyer përgjigje se çfarë zgjidhje do të ofrojnë për këtë rast.
Por, edhe zyrtarë të UBT-së kanë thënë se deri të hënën janë në pushime dhe vetëm atëherë mund të deklarohen rreth kësaj çështjeje.