Fjalë Kyçe

Si u mashtruan qytetarët në emër të shërimeve jashtë vendit? (VIDEO)

Si u mashtruan qytetarët në emër të shërimeve jashtë vendit? (VIDEO)

Bleona, Leonora, Leonita, Zadja, Altina, Rioni dhe Dioni janë fëmijët dhe të rinjtë imagjinarë në emër të të cilëve dyshohet se dikush po pasurohet.

Ata janë protagonistë të disa apeleve për ndihmë për shërim jashtë vendit të cilët i lidh një emër i vetëm, ai i Zade Gashit, pavarësisht se vendlindjet e tyre janë të ndryshme.

Bleona Gashi, në apelin e të cilës është përdorur një fotografi e modifikuar, pretendohet se vuan nga një sëmundje e mëlçisë.

Personat që fshihen pas këtij apeli, përmes të cilit po kërkojnë 75 mijë euro, nuk kanë publikuar asnjë dokument që dëshmon sëmundjen e saj.

Në thirrjen për ndihmë është vetëm llogaria bankare e hapur në emrin e gjoja nënës së saj, Zade Gashi, dhe një numër telefoni i cili ishte i paqasshëm kur u kontaktua nga KIKS-i.

E njëjta llogari bankare e Zade Gashit u përdor edhe në apelin për ta ndihmuar Altina Gashin nga Ferizaj.

18-vjeçarja thuhej se vuante nga një sëmundje e rëndë kancerogjene, për konfirmimin e të cilës nuk ishte bashkëngjitur asnjë dokument mjekësor.

Përveç fotografisë dhe emrit, apeluesit kishin ndryshuar edhe numrin kontaktues, i cili po ashtu ishte jashtë funksionit.

Askush nuk iu përgjigj KIKS-it, as kur telefonoi në numrin që ishte vendosur në apelin për ta ndihmuar Leonora Gashin. Për shërimin e 19-vjeçares kërkoheshin 51 mijë e 400 euro. Sërish në apel emri i nënës ishte i njëjtë, Zade Gashi, emër në të cilin është hapur llogaria bankare ku shkuan donacionet.

Zade Gashi ishte edhe prapa llogarisë bankare në apelin e katërt për ndihmë që e identifikoi KIKS-i. Kësaj radhe ajo ishte shfaqur si një 22-vjeçare nga Mitrovica që vuante nga fibroza dhe kërkonte 31 mijë euro për t’u shëruar jashtë vendit.

Numri që ishte shënuar për ta kontaktuar për informata të tjera ishte i paqasshëm për KIKS-in.

22-vjeçare ishte edhe Leonita Gashi apeli për të cilën mbeti i hapur vetëm një muaj, pasi që personat që u paraqitën në media si familjarë të saj njoftuan për vdekjen e saj.

Sidoqoftë, Zadja dhe Leonita nuk kishin të përbashkët vetëm moshën.

Në të dyja thirrjet për ndihmë llogaria bankare ishte e njëjtë, në emër të Zade Gashit dhe e hapur në të njëjtën bankë.

Nënë Zadja u paraqit edhe si nëna e 2-vjeçarit, Rion Gashi. Në apelin e tij u përdor një fotografi e marrë nga interneti e cila për herë të parë ishte publikuar në vitin 2015.

Ndonëse në thirrjen për ndihmë thuhej se Rioni është djali i vetëm i familjes, Zadja u paraqit edhe si nënë e një vogëlushi tjetër. Kësaj radhe një 5-vjeçari nga Gjilani, Dion Gashit, për të cilën pretendohej se vuante nga Leukemia Akute.