Fjalë Kyçe

Simmons: Do të tregoj se pse nuk janë hetuar krimet e serbëve në Kosovë

Simmons: Do të tregoj se pse nuk janë hetuar krimet e serbëve në Kosovë

Ish-gjyqtari i EULEX-it, Malcolm Simmons, ka treguar se në raportimin që pritet ta bëjë në Kuvendin e Kosovës, do të tregojë se pse nuk janë hetuar krimet e kryera nga serbët në Kosovë.

Simmons ka thënë se shumë prova të krimeve të kryera nga serbët nuk janë më në dorën e autoriteteve kosovare.

“Kur të jap dëshmi para Parlamentit të Kosovës do të shpjegoj pse këto raste nuk janë hetuar. Dëshmitë në lidhje me shumë krime të luftës të kryera nga persona me etni serbe nuk janë më të disponueshme për autoritetet e Kosovës”, ka thënë Simmons, përmes një postimi në Twitter, transmeton Telegrafi.

Simmons, gjatë janarit të këtij viti, në një intervistë për televizionin publik, ka folur gjerë e gjatë për skandalet në misionin evropian për sundimin e ligjit.

Ai ka thënë se pret nga Komisioni Hetimor Parlamentar i Kosovës të bëjë atë që EULEX-i dhe Shërbimi Evropian i Veprimit të Jashtëm deri më tani nuk kanë arritur ta bëjnë.

“Ky Komisioni do të shqyrtojë keqpërdorimet për sundimin e ligjit që ndodhën gjoja në emër të popullit të Kosovës, nga gjykatësit dhe stafi i lartë i EULEX-it, një Misioni i BE-së për Sundimin e Ligjit që pretendon të promovojë sundimin e ligjit”, kishte thënë Simmons.

Ai ka shtuar se ka besim në Parlamentin e Kosovës për të kryer një hetim të drejtë, transparent dhe të paanshëm për mënyrën e administrimit të drejtësisë në Kosovë.

“Unë besoj se kjo është ajo që njerëzit e Kosovës presin – dhe e meritojnë”, kishte thënë Simmons në janar të këtij viti.

Simmons ka thënë se rastet në të cilat ai dhe kolegët e tij gjyqtarë të EULEX-it i kanë kryesuar, kanë përfshirë qytetarë të Kosovës dhe vepra penale të kryera në Kosovë.

Ish-gjyqtari i EULEX-it, Simmons kishte kërkuar të flasë para deputetëve për çka Komisioni për Legjislacion kishte caktuar 18 janarin e këtij viti si datë për të dëgjuar deklaratat e tij.

Megjithatë, një gjë e tillë nuk ndodhi për shkak të shpërndarjes së Kuvendit të Kosovës.