Fjalë Kyçe

Sindikata e Aeroportit fajëson “Limakun” për tollovinë e shkaktuar

Sindikata e Aeroportit fajëson “Limakun” për tollovinë e shkaktuar

Sindikata e Aeroportit Ndërkombëtar ‘’Adem Jasharin’’ e ka fajësuar kompaninë ‘’Limak’’ për tollovinë e shkaktuar gjatë ditës së sotme, me ç’rast edhe u sulmuan fizikisht edhe dy punonjonës.

Sipas Sindikatës, në krye me Bashkim Latifin, kjo tollovi ka ndodhur për shkak të numrit të vogël të punëtorëve që ka ‘’Limak’’, pasi sipas tyre, kjo kompani ka hyrë në fluksin e fluturimeve me numër të vogël punëtorësh dhe ka larguar punonjës në mënyrë të paligjshme.

‘’Më lejoni t’iu sqaroj si përfaqësues i punëtorëve se këto tollovi e pritje të gjata nuk janë shkaktuar për fajin e punëtorëve dhe se lajmet për anulimin e fluturimeve janë gënjeshtra, vetëm për ta larguar fajin nga ‘Limaku’. ‘Limaku’ ka hyrë në sezonin e fluturimeve pa u përgatitur, madje me numër të vogël të punëtorëve për shkak të largimit të jashtëligjshëm të një numri të madh të punëtorëve’’, thuhet në njoftimin e Sindikatës.

Gjithnjë sipas këtij njoftimi, arsyeja e pritjeve të gjata është fakti se janë vetëm dy punonjës në shërbimin e ‘’check-in’’.

‘’Arsyeja e pritjeve të udhëtarëve është numri i vogël i punëtorëve, ku vetëm dy punonjës në chech-ik shërbejnë një aeroplan, gjë që është jashtëzakonisht pak, andaj edhe vonesat eventuale që mund të shkaktohet janë pikërisht për këto arsye’’, vijon tutje njoftimi i tyre.

Në fund, Sindikata i ka dalë në mbrojtje dy punonjësve që u sulmuan brenda ANP-së.

‘’Punëtorët janë të stër-ngarkuara me pushime vjetore të anuluara, të cilët po punojnë me orar të stër-ngarkuar e të gjata mbi 12 orë. Punëtorët e pakët në numër po ngarkojnë/shkarkojnë dhjetëra tonë bagazhe brenda një ndërrimi’’.

Sindikata thotë se e kishin paralajmëruar një gjë të tillë më herët, por sipas tyre menaxhmenti i Aeroportit i ka injoruar.