Fjalë Kyçe

Sindikata kërkon që punëtorëve t’u ruhet shëndeti në këto temperatura të larta

Sindikata kërkon që punëtorëve t’u ruhet shëndeti në këto temperatura të larta

Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat të Kosovës, përmes një komunikate për media, i ka kërkuar ministrit në detyrë të Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skënder Reçica, Inspektoratit të Punës dhe pronarëve të kompanive që të kujdesen për shëndetin e punëtorëve në këto ditë kur në Kosovë po mbretërojnë temperaturat e larta.

SPSPK thotë se edhe më herët ka apeluar që të bëhet reduktimi i orarit të punës ose puna të bëhet me dy ndërrime, para dhe pasdite.

Kjo sindikatë thotë se për çdo jetë të humbur përgjegjës do të jetë Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale si dhe pronarët e kompanive.

“Shteti ka mekanizmat e vet, njëherësh edhe obligimet e veta, që të merret seriozisht me këtë çështje andaj çdo humbje jete e këtyre punëtorëve përgjegjës direkt do të jetë Ministria e Punës me mekanizmat e saj dhe pronarët e kompanive”, përfundon deklarata.

Ndërkohë, Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka bërë me dije se të nxehtit që vetëm ka filluar të ndjehet në Kosovë, do të jetë vetëm fillimi i vapës afrikane që pritet të shtrihet mbi rajonin tonë ditëve në vijim.

Përgjatë fundjavës anticikloni i Azoreve do të shtrihet mbi Mesdhe dhe rajonin tonë, që do të favorizojë mot të qëndrueshëm, kryesisht të kthjellët dhe me diell, ndërsa temperaturat do të vazhdojnë të rriten ndjeshëm mbi vlera mesatare.

Për sot, temperaturat minimale do të luhaten nga 16 deri në 19 gradë celsius e maksimalet nga 34 deri në 36 gradë celsius.

Sipas parashikimeve të fundit, vapa afrikane pritet të zgjasë së paku deri nga mesi i javës së ardhshme, e më pas temperaturat pritet të zbresin përreth vlerave mesatare, me mundësi edhe për reshje të dobëta shiu.