Fjalë Kyçe

Situatë alarmante nga zjarret në Shqipëri

Situatë alarmante nga zjarret në Shqipëri

Në Shqipëri zjarret janë përhapur pothuajse në të gjithë territorin e vendit.

Kapacitetet e vendit për përballimin e situatës janë modeste, autoritetet shqiptare janë në bisedime për ardhjen e ndihmës nga BE.

Prej disa ditësh Shqipëria ndodhet e përfshirë nga zjarret, pothuajse në të gjithë territorin e saj. Sipas të dhënave zyrtare nga Agjencia e Emergjencave Civile zjarret janë përhapur nga veriu në jug duke përfshirë pyje, kullota dhe prona private në 13 rrethe: Shkodër, Lezhë, Pukë, Elbasan, Fier, Skrapar, Durrës, Tiranë, Vlorë, Gjirokastër, Përmet dhe Sarandë ku 9 vatra zjarri janë aktive.

Dëmet e deritanishme janë të mëdha. Zjarret shkaktuan të martën (03.08) edhe një viktimë: Andrea Haxhiaj, 64 vjeꞔ, banor në një fshat në Njësinë Administrative të Lunxhërisë, (qarku i Gjirokastrës) u gjend i pajetë në kopshtin pranë banesës, nga asfiksia në përpjekje për të shuar flakët që kishin përfshirë vreshtin e tij. Bashkëshortja e tij është plagosur rëndë dhe ndodhet në spital; i plagosur është edhe një efektiv i Forcave të Armatosura bëjnë me dije burime nga Komiteti i Emergjencave Civile. Në Vlorë dhe Fier janë shkatërruar qindra hektarë me pyje, kullota e mijëra rrënjë ullinj. Banorët e 3 fshatrave në luginën e lumit Drino në Gjirokastër, janë evakuar nga forcat e Policisë dhe të Ushtrisë.

Peleshi: Situata serioze në Karaburun

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, në një deklaratë publike e quajti situatën serioze sidomos në gadishullin e Karaburunit, (qarku i Vlorës) ku vatra e zjarrit vazhdon të mbetet aktive që prej tri ditësh dhe “ka marrë përmasa të rrezikshme, e ndihmuar nga era”, ka theksuar ai të marten.