Fjalë Kyçe

Sivjet janë ndarë 6.5 milionë euro për personat që do të ftohen nga Haga

Sivjet janë ndarë 6.5 milionë euro për personat që do të ftohen nga Haga

Aktivizimi i punës së Gjykatës Speciale ka bërë që fondi financiar për mbështetje juridike dhe financiare për të akuzuarit potencialë të rritet. Për vitin 2019, fondi ishte më shumë se 1.5 milionë euro.

Por, zëvendësministri i Drejtësisë, Florian Dushi, ka thënë se buxheti i ndarë për vitin 2020 është më shumë se 6 milionë e 500 mijë euro, raporton KOHA. Kjo në fakt është paraparë në Ligjin për Buxhetin për këtë vit. Ndërsa, në Ligjin për Buxhetin vlerësimi i shpenzimeve për vitin 2021 është mbi 11 milionë e 554 mijë.

Dushi ka theksuar se gjatë këtij viti ka pasur vetëm një kërkesë për mbështetje financiare të personave në fjalë, e cila është dorëzuar në Qeverinë e Kosovës. Dushi ka shtuar se çdo kërkesë apo pagesë eventuale në të ardhmen do të kryhet në bazë të Ligjit Për Mbrojtjen Juridike dhe Mbështetjen Financiare të personave të akuzuar potencialë.

Artan Qerkini, avokat i disa prej të intervistuarve nga Dhomat e Specializuara për Kosovën, thotë se mbështetja financiare duhet të rregullohet me akte nënligjore.

Ndërkaq, Grupi për Studime Juridike dhe Politike kërkon transparencë nga Qeveria për mënyrën e shfrytëzimit të këtij fondi.

Në vitin 2019, kur Qeveria udhëhiqej nga Ramush Haradinaj, ekzekutivi kishte ndarë në heshtje 70 mijë euro për 4 ish-eprorë të UÇK-së, ku prej tyre 9.187.00 euro i janë kthyer buxhetit të shtetit.

KTV-ja ka raportuar vitin e kaluar se këto mjete financiare ishin ndarë me dy vendime të ekzekutivit më 5 shkurt dhe 19 mars, siç shkruhet “përkrahje financiare për personat e akuzuar potencialë në proceset gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara”.

Ndihmat financiare ishin ndarë nga rezervat shtetërore. Vendimet mbanin firmën e ish-zëvendëskryeministrit Enver Hoxhaj e jo të eprorit të tij, Ramush Haradinaj.

Sami Lushtakut i ishin ndarë 9,187 euro, ndërsa Mahir Hasanit 6,991 euro. Qeveria e kishte mbështetur financiarisht edhe Sylejman Selimin me 13,822 euro. Ndërsa, shuma prej 40 mijë eurosh ishte ndarë për Lahi Brahimajn, dajë i ish-kryeministrit Haradinaj.

Në vitin 2015, Kosova ka miratuar Ligjin për mbështetjen financiare të individëve që akuzohen, por që në emër të ligjit dhe nenit 1 përfshin edhe fjalën ‘potencial’.

Pavarësisht kësaj, në dy nenet pasuese, atë 2 dhe 3, që u referohen fushëveprimit dhe mbrojtjes juridike, saktësohet se asistencë financiare përfitojnë vetëm të akuzuarit, e jo të dyshuarit apo dëshmitarët.