Mbrëmë rreth orës 19:00 në Gllogjan, një person ka shtënë me kallashnikov në drejtim të një autobusi që po bartte nxënës nga Gjakova në Deçan. Si pasojë e këtyre të shtënave, tre persona kanë mbetur të vrarë, shoferi i autobusit dhe dy nxënës të shkollës së mesme.
Sinjali ka raportuar dje se shoferi është Gani Gjokaj nga fshati Skivjan e Gjakovës, për të cilin familja ka hapur sot të pamen. E një familjar i afërt i tij ka folur për Sinjalin.
Sa i përket gjendjes shëndetësore të familjes së Gani Gjokajt, ai ka thënë se “mirë s’janë hiç, po çka me bo“.
Fidani, djali i vëllait të viktimës, ka thënë se nuk kanë informacione dhe janë duke pritur të njoftohen për detajet e rastit.
Ai ka thënë se i ndjeri nuk ka pasur probleme asnjëherë dhe se ka qenë njeri me zemër të madhe. Gjithashtu ai ka thënë se ende nuk kanë vendosur për orën e varrimit të të ndjerit, por që “besojnë se do të bëhet në orë 15:00“.
Fidani ka thënë për Sinjalin se familjen e tyre e ka vizituar vetëm kryetari i komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj.
“Me dijeninë tonë s’ka pas problem kurrë me kërkon. Ka qenë njeri punëtor e i dashtun, njeri me zemër të madhe. Momentalisht nuk kem as një informacion por po presim momentalisht“, ka thënë Fidani.