Fjalë Kyçe

S’ka më rehati për ish-pjesëtarët e UÇK-së, nis arrestimi dhe burgosja e tyre

S’ka më rehati për ish-pjesëtarët e UÇK-së, nis arrestimi dhe burgosja e tyre

Ish-kryetari i Drenasit Nexhat Demaku si dhe ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës Fadil Demaku, janë dërguar të premten përfundimisht në burg për vuajtje dënimi. Ata do të vuajnë dënim në burgun e Dubravës sipas vendimit të dhënë nga sistemi i Drejtësisë në Kosovë.

Veç vëllëzërve Demaku këtë të shtunë, si kërkesë e panelit gjyqësor të Eulex-it, ka pasur edhe arrestime të reja.

Të arrestuarit e sotëm janë vëllëzërit Driton, Agim dhe Selman Demaj.

Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL UÇK), ka njoftuar se dje është dërguar në vuajtje të dënimit ish-kryetari i Drenasit, Nexhat Demaku dhe ish-deputeti Fadil Demaku.

Në një njoftim për media, OVL UcK ka bërë të ditur se sot janë arrestuar edhe vëllezërit Driton, Agim e Selman Demaj, në cilësinë e të dyshuarve.

Më poshtë njoftimi i plotë:

Për më shumë se një dekadë, ishim dëshmitarë të dështimit total të drejtësisë ndërkombëtare në Kosovë, e cila përmes mekanizmave të ashtuquajtur të drejtësisë, vazhdimisht ka organizuar komplote kundër luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Edhe grupi i Drenicës janë dënuar pa prova materiale, me vetëm një deklaratë të një pale, e që është absurd i kësaj drejtësie, që fatkeqësisht po e zbaton drejtësia e Kosovës.

Dje u dërguan në vuajtje të dënimit kryetari i komunës së Drenasit Nexhat Demaku e ish deputeti I Kuvendit të Kosovës Fadil Demaku, ndërsa sot arrestohen dhunshëm vëllezërit Driton, Agim e Selman Demaj në cilësinë e të dyshuarit.

Neve si OVL UÇK, na brengos fakti që kriminelët serbë shëtisin lirshëm kudo në Kosovë dhe nuk gjykohen për krimet që i kanë bërë, por po gjykohen e denohen me akuza të rrejshme luftëtarët e lirisë.