Fjalë Kyçe

S’ka pasur viktimë të katërt në aksidentin në të cilin vdiqën tre kosovarë në Gjermani

S’ka pasur viktimë të katërt në aksidentin në të cilin vdiqën tre kosovarë në Gjermani

Ambasada e Kosovës në Berlin ka njoftuar se në aksidentin në Meerseburg, në të cilin vdiqën tre persona nga Kosova, nuk ka pasur viktimë të katërt, siç ishte thënë të shtunën.

Vetë ambasada të shtunën kishte thënë se pos tre anëtarëve të një familjeje kosovare, me shtetësi zvicerane, në aksident kishte pasur edhe viktimë të katërt. Megjithatë, të dielën, kjo ambasadë ka kërkuar falje për raportimin e mëhershëm duke njoftuar se përmes raportit zyrtar nga autoritetet gjermane është bërë e ditur se viktimë të katërt s’ka pasur fare.

“Ambasada e Kosovës në Berlin sot ka marrë raportin zyrtar për aksidentin e Meerseburg. Me këtë rast autoritetet gjermane kanë njoftuar që në këtë aksident kanë vdekur 3 persona nga familja K. me shtetësi zvicerane dhe prejardhje nga Kosova kurse viktimë të katërt nuk ka pasur fare. I njëjti gabim është korrigjuar nga autoritetet gjermane edhe kundruall mediave gjermane”, thuhet në njoftim të Ambasadës.

Në javën që po mbyllet janë regjistruar pesë vdekje të kosovarëve në aksidente në Gjermani. Pos tre anëtarëve të familjes që pësoi aksident në rrugën për në Zvicër, të martën kishin vdekur dy fëmijë në afërsi të Munihut, si pasojë e goditjes nga treni.