Fjalë Kyçe

Skandaloze: Bunarë vetëm për anëtarët e partisë

Skandaloze: Bunarë vetëm për anëtarët e partisë

Familja shtatanëtarëshe e Bashkim Llugiqit nga fshati Medvec i Komunës së Lipjanit prej vitesh po përballet me mungesë të ujit të pijshëm.

Komuna ua ka refuzuar kërkesat për hapjen e një pusi, megjithëse gjatë viteve të fundit kjo komunë së bashku me organizata të ndryshme ka hapur mbi 270 puse për familje skamnore.

Komuna së bashku me organizatën “Qatar Charity” edhe gjatë muajit të fundit ka nisur procedurat për hapjen e 24 puseve të reja, raporton KOHA.

Mirëpo, sipas Llugiqit, që është edhe veteran i luftës, kërkesat e tij nuk janë marrë parasysh.

Ndërkaq Ali Mejzinolli, kryetar i OVL-së në Lipjan, ka thënë se Komuna asnjëherë nuk po i përkrah veteranët, megjithëse kanë bërë edhe rekomandime zyrtare.

E partia opozitare në Lipjan, PDK, po e akuzon Komunën se po keqpërdor donacionet e organizatave të huaja, duke hapur puse për ujë të pijshëm mbi baza politike e familjare.

Zyrtarë të Komunës së Lipjanit nuk kanë dashur të flasin për televizionin rreth kësaj çështjeje, por KOHA ka siguruar disa të dhëna sipas së cilave Komuna gjatë viteve të fundit së bashku me organizata të huaja ka hapur mbi 270 puse, ndërkohë ka refuzuar 135 kërkesa.