Fjalë Kyçe

Skender Reçica flet për punën një vjeçare të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale

Skender Reçica flet për punën një vjeçare të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, mbajti sot konferencën përmbyllëse të vitit 2018.

Ai foli fillimisht për sfidat dhe obligimet e vitit që po lamë pas si ato, në fushën e marrëdhënies së punës, sigurisë dhe shëndetit në punë, trajtimit jo të barabartë të personave me aftësi të kufizuara, financimit dhe ndarjes së përgjegjësive për shërbime sociale e familjare, si dhe rreth skemave pensionale të financuara nga shteti.

Reçica tha se këto sfida janë adresuar, ku përmendi Strategjinë Sektoriale dhe Planin e Veprimit të MPMS-së, si dhe Planin për Punësimin e të Rinjve, të dy këto dokumente strategjike të miratuara këtë vit në Qeveri, për të vazhduar më tej me reforma në pothuajse të gjithat fushat.

“Në kuadër të reformave që kemi ndërmarrë gjatë vitit 2018, është hartuar Projektligji i Punës, Projektligji për Pushimin e Lehonisë dhe Prindëror, Projektligji për Inspektoratin e Punës, koncept-dokumenti për reformën pensionale, koncept-dokumenti për fushën sociale dhe familjare, si dhe ai për aftësinë e kufizuar”, tha ministri.

Këto projektligje dhe koncept-dokumente parashohin rregullimin e një sërë çështjesh si, avancimin e të drejtave të punëtorëve,  trajtimin meritor të nënave lehonë dhe për herë të parë trajtimin e lehonave të papunësuara, trajtimin e duhur të pensionistëve, të viktimave të dhunës seksuale të luftës së fundit, si dhe personave me aftësi të kufizuara.

Duke folur për të arriturat e vitit në fushën sociale, ministri tha se është rritur asistenca sociale për 20% si dhe është rritur pagesa mujore për strehim familjar për fëmijë pa përkujdesje si dhe për fëmijët me aftësi të kufizuara.

Të arritura janë shënuar edhe në fushën e punës si dhe sigurisë dhe shëndetit në punë.

“Gjatë vitit që po lëmë pas, janë trajtuar mbi 11 mijë punëkërkues, prej tyre 6,659 në punësim dhe 4,957 në aftësim profesional. Është kompletuar ligji për siguri dhe shëndet në punë me akte nënligjore, në të cilat janë transpozuar 16 Direktiva.  Janë realizuar 3 fushata vetëdijësuese për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë ndërkaq inspektorati i punës ka realizuar mbi 8,512 inspektime”, tha ministri.

Ai përmendi edhe planin operativ në sektorin e ndërtimtarisë i cili ka nisur nga tetori i vitit 2018 ku janë intensifikuar inspektimet dhe u është pezulluar puna disa vendpunishteve që nuk i kanë përmbushur masat e sigurisë dhe shëndetit në punë.

Në fushën e pensioneve, Reçica evidentoi si të arritura funksionalizimin e skemave pensionale: pensioni invalidor i punës, pensioni  familjar, pensioni për paraplegjik dhe tetraplegjik, është funksionalizuar komisioni mjekësor për vlerësimin e shkallës së invalidëve të luftës, si dhe ka nisur kompensimi i viktimave të dhunës seksuale të luftës së fundit në Kosovë.

“Këtë vit kemi nënshkruar marrëveshjet e para në histori të Republikës së Kosovës për sigurime sociale, marrëveshjen  me Konfederatën e Zvicrës dhe Mbretërinë e Belgjikës, të dyja të ratifikuara në Kuvendin e Kosovës këtë vit”, tha tutje ministri.

Ministri tha se MPMS në vitin 2018 ka përmbushur 100% të masave dhe aktiviteteve të parapara në dokumentet për Agjendën Evropiane.

Për vitin 2019, objektivat dhe prioritetet kryesore sipas ministrit Reçica janë, finalizimi i reformave të nisura në vitin 2018, zgjerimi i shërbimeve të punësimit dhe masave aktive të tregut të punës, ngritja e nivelit të sigurisë dhe shëndetit në punë, parandalimi i rasteve të lëndimeve në punë, luftimi i informalitetit në marrëdhënien e punës,  fuqizimi i rolit të inspektoratit të punës dhe marrëveshjet për sigurime sociale.