Fjalë Kyçe

Smaka propozon qeveri teknike nëse dështon koalicioni VV-LDK

Smaka propozon qeveri teknike nëse dështon koalicioni VV-LDK

Afati kushtetues për formimin e Qeverisë së Kosovës po rrjedh, ndërkohë që kanë mbetur edhe 10 ditë për mandatarin Albin Kurti që të arrijë marrëveshje me partitë politike për përbërjen e kabinetit qeveritar.

Ky afat përfundon më 5 shkurt dhe nëse Lëvizja Vetëvendosje dështon, asaj Kushtetua i jep edhe një mundësi tjetër, në një afat prej 10 ditësh për të formuar qeverinë.

Por, një mundësi e tillë nuk ofrohet në asnjë formë partisë së dytë fituese në zgjedhjet e 6 tetorit, konsideron kështu njohësi i çështjeve juridike, Riza Smaka. Njohësi i çështjeve juridike dhe një prej hartueseve të Kushtetutës së Kosovës, Riza Smaka thotë se vetëm Lëvizja Vetëvendosje e ka të drejtën për formimin e qeverisë së re.

Smaka thekson se ajo i ka në dispozicion dy afate, 15 dhe 10 ditë, dhe nëse dështon në këto dy afate, atëherë duhet të shpallen zgjedhjet e reja ose të formohet një qeveri të teknike. Sipas Smakës, kjo e fundit do të ishte më e dobishme për Kosovën në këto rrethana në të cilat ndodhet vendi.

“Çfarë do të ndodhte nëse brenda 15 ditësh zoti Kurti nuk do të mund të formonte qeverinë, atëherë vjen etapa e dytë, presidenti i Republikës nuk ka autorizim për ta kërkuar kandidatin nga Lidhja Demokratike për formimin e Qeverisë, por ekskluzivisht prapë nga Lëvizja Vetëvendosje, por në këtë rast nuk do të vinte Albin Kurti por një person tjetër. Kështu që nuk vjen në konsideratë cilado parti politike tjetër, siç thuhet në popull për t’i ngre dhëmbët për të formuar qeverinë, gjithnjë duhet vetëm Lëvizja Vetëvendosje”, thotë Smaka për Kosovapress.

Vetëvendosje tash e tre muaj negocion me Lidhjen Demokratike të Kosovës për një marrëveshje që do të rezultonte me koalicion qeverisës. Smaka thotë se nëse marrëveshja mes dy partive dështon, atëherë shkaktare kryesore është LDK, që sipas tij, nuk duhet të diskutojë çështjen e presidentit. Ai thotë se është e pranueshme të kenë polemika e marrëveshje për ministri e poste të tilla, por jo edhe për çështjen e presidentit.

“Nëse dështon formimi i qeverisë së koalicionit, shkaktare kryesore e krejt kësaj bllokade është Lidhja Demokratike, por jo LDK por kreu i lidhjes me dy-tre vetë, për interesa egoiste që kërkojnë diçka që nuk u takon kurrsesi. Si mund të paracaktohet, para sigurohet, para garantohet posti i presidentit. Presidenti nuk hyn në korpusin e zgjedhjeve, këtu hyn deputetët, Kuvendi e Qeveria. Pastaj presidenti zgjedhet në procedurë tjetër. Posti i presidentit nuk është vakant, pastaj deputetët, sipas nenit 70, janë të autorizuar për të votuar pro, kundër apo për të abstenuar, e në qoftë se me marrëveshje politike do t’u imponohej, do të shkelej e drejta themelore e deputetëve për të votuar për apo kundër, nuk është në rregull”, thotë ai.

Sipas Smakës, nëse dështon marrëveshja, atëherë zgjidhja më e mirë do të ishte formimi i qeverisë teknike që do të procedonte tutje me çështjen e buxhetit dhe disa të tjera të rëndësishme.

“Nëse do të dështonte edhe në raundin e dytë formimi i qeverisë, zgjidhja më e mirë, në këto rrethana, siç thuhet në popull kur nuk ka shi edhe breshëri është i mirë, do të ishte formimi i qeverisë, ta quajmë teknike ose profesionale, qeveri e kompromiseve që do të duhej t’i kryente këto punë, buxhetin, procedimi dhe miratimi, e kemi Kuvendin, pastaj reformimi i sistemit zgjedhor dhe ndryshime e plotësime në Kushtetutë”, thotë ai.

Pastaj, brenda një viti thotë të bëhej përgatitja e zgjedhjeve të reja, në mënyrë që pasi të bëhet reformimi i sistemit zgjedhor të shkohet me zgjedhje.

Këtu Smaka kritikon kryetaren e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, për të cilën thotë se nuk ka ditur të bëjë organizimin e zgjedhjeve të 6 tetorit.

“Zonja Daka totalisht e paaftë, çka bëri, numërime, rinumërime, rinumërime të rinumërimeve, rinumërime të riunmërimit të rinumërimeve, kjo është e paparë ,e paprecedentë, u bëmë hor, dhe vet sistemi ka probleme në ligjin për zgjedhje. Kur është kryetar, mund të jetë njeriu më i aftë në Kosovë, por nëse nuk i funksionon korpusi, KQZ-ja, atëherë krejt asaj i adresohen, andaj në këtë kuptim po e adresojë në zonjën e Daka, sepse nuk ka mundur t’i organizoj zgjedhjet në mënyrën që është dashur t’i organizojë”, thotë Smaka.

Riza Smaka një prej hartuesve të Kushtetutës së Kosovës, konsideron që zgjedhjet e reja nuk do të ishin në dobi të vendit aktualisht.