Trajneri dhe profesori i futbollit, Bylbyl Sokoli, beson se cilësia në Ipko Superligën e Kosovës do të përmirësohej me uljen e numrit të futbollistëve të huaj dhe investimin në futbollistët cilësorë shqiptarë.
Sonte në emisionin “Favorit” në T7 të ftuar janë të ftuar sekretari i përgjithshëm i FFK-së, Eroll Salihu, trajneri e profesori i futbollit Bylbyl Sokoli dhe komentatori i Super Sport Kosovës, Leart Sveqla, shkruan Gazeta Express.
Sipas Sokolit, një numër i klubeve në Kosovë transferon futbollistë të huaj vetëm për shkak të nënshtetësisë së tyre, përkundër nivelit të cilësisë së tyre. Për këtë arsye, ai beson se numri i lojtarëve të huaj që lejohet një klub t’i ketë në skuadër të ulet në dy ose tre nga tetë.
“Në futbollin e Kosovës defilojnë, qarkullojnë futbollistët me vlera shumë të dyshimta, bëjnë prova, shkojnë… prej të gjitha vendeve të Evropës, prej të gjitha kontinenteve. Ky është problemi që besoj se me sistemin e ri të garave do ta kalojmë më shpejt”, ka thënë Sokoli në “Favorit”.
“Ende defilojnë futbollistët nga kontinentet tjera që janë me vlera të dyshimta dhe e njëjta gjë ishte edhe në sezonin e kaluar. Por, sivjet është më pak dhe unë po shpresoj se gjithnjë e më pak do të kemi futbollistë të tillë”.
“Numri i tetë futbollistëve të huaj që i lejon Federata është shumë i madh. Unë nuk do t’i lejoja më shumë se dy apo tre në këtë dhjetëvjetëshin e parë sepse mendoj se investimet më të mëdha do të jenë në angazhimin e lojtarëve cilësorë shqiptarë, kudo që janë”.
“Sezonin e kaluar për shembull erdhën katër pesë brazilianë vetëm pse kanë dëgjuar se janë brazilianë, përndryshe cilësia e tyre ka qenë e nivelit shumë të ulët”.
Afati kalimtar i kësaj verë është ende i hapur në Ipko Superligën e Kosovës dhe edhe gjatë kësaj vere klube të shumta kanë bërë investime të mëdha.