Ole Gunnar Solskjaer ka debutuar në stolin e Manchester United me një fitore të shkëlqyer 5-1 në Cardiff, një start perfekt si trajner i përkohshëm në klubin ku ka bërë histori.
Pas ndeshjes 45-vjeçari norvegjez pati fjalë të mëdha për një tjetër legjendë të United, Wayne Rooney, i cili e ka ndihmuar jo pak në ditët para ndeshjes.
“Mbërrita të mërkurën në mbrëmje dhe vetëm të enjten e të premten punova me djemtë. Wayne Rooney më dërgoi mesazhe dhe më dha disa këshilla, ndaj edhe ai ka meritë të madhe në këtë fitore!”, tha duke qeshur norvegjezi, në intervistën për BT Sport pas ndeshjes.
“Më tha t’i bëja djemtë të luanin futboll, të zbaviteshin dhe të ishin Manchester United.” U tha, u bë: për herë të parë që prej vitit 2013, kur Alex Ferguson drejtoi ndeshjen e fundit me Red Devils, United shënoi 5 gola në një ndeshje kampionati!
Solskjaer ka folur edhe për sfidën e tij më të madhe në stolin e United, që është marrja e maksimumit nga një yll si Paul Pogba. Francezi, blerja më e shtrenjtë në historinë e United, ishte në konflikt të hapur me trajnerin Jose Mourinho dhe tashmë Solskjaer kërkon mënyrën për të gjetur Pogba-në e vërtetë, atë që mahniste te Juventusi dhe ishte vendimtar edhe te Franca kampione bote këtë verë.
“Ai është një kampion bote, një djalë i shkëlqyer, i cili nuk ka ndryshuar si karakter në krahasim me vite më parë, kur e takova në Manchester. Është rritur si lojtar dhe është një prej të cilëve dua të marr maksimumin.
“Nuk jam i sigurt nëse skuadra mori pushtetin dhe largoi trajnerin. Pushtetin e ka trajneri, ai zgjedh skuadrën, taktikat, strategjinë. Klubi është mbi çdo futbollist, të jesh lojtar i Manchester United është privilegj dhe çdo lojtar dëshiron të ketë sukses aty”.
Solskjaer i kujtoi Pogbasë dhe pjesës tjetër të ekipit përgjegjësinë që kanë: “Biseduam për atë që presim prej tyre, për standardet brenda e jashtë fushe. Kam besim se djemtë e dinë çfarë duhet bërë për të ndihmuar skuadrën”.