Fjalë Kyçe

“Sot në Kosovë bëjmë tregti me këdo përveç Shqipërisë, është krijuar një mosbesim”

“Sot në Kosovë bëjmë tregti me këdo përveç Shqipërisë, është krijuar një mosbesim”

Safet Gërxhaliu, ekspert i marrëdhënieve tregtare Shqipëri Kosovë, mendon se analiza për shkaqet e performancës së dobët të shkëmbimeve tregtare “nuk duhen të flitet me emocione dhe patriotizëm, por me kalkulim edhe interes”.

Sipas tij, “është e vërtetë që kemi takime qeveritare, por po mbeten nën petkun e marketingut politik, ku të njëjtat marrëveshje përsëriten. Por nuk kemi ende një Odë të përbashkët ekonomik, që do të ishte katalizator i fuqishëm Duhet të kuptojmë që nuk jemi tregje konkurruese por komplementare, dhe në qoftë se do të ketë vullnet politik shumë objektiva do të arrihen, por për momentin jemi ende larg”.

Por Gërxhaliu flet edhe për diçka më të thellë, jo thjeshtësisht ekonomike, një mosbesim reciprok mes dy vendeve.

“Është krijuar një mosbesim midis tregjeve të Kosovës dhe Shqipërisë. Sot në Kosovë bëjmë tregti me këdo përveç Shqipërisë. Besoj janë pasojat e viteve 90, kanë lënë gjurmët e veta, dhe kërkojnë dialog. Nuk ka besim dhe kjo është esenca. Ndërkohë, vendet e rajonit tregojnë agresivitetin që Shqipëria nuk ka në treg. Jemi në mëshirë të kohës, dhe në këtë situatë të tretët fitojnë, nga Serbia,  Maqedonia e Veriut dhe deri tek vendet europiane. Por është koha që ekonomia të na bashkojë sepse nuk kemi kohë për eksperimente të dy popujve të një shteti të ndarë”, thotë eksperti në A2 Business.