Fjalë Kyçe

Sot nis samiti dyditor i BE-së në Bruksel, shpresë për liberalizim të vizave

Sot nis samiti dyditor i BE-së në Bruksel, shpresë për liberalizim të vizave

Liderët e 27 vendeve të BE-së do të takohen sot në një samit dyditor në Bruksel, të paraprirë nga një takim i krerëve të shteteve dhe qeverive të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor.

Takimi i liderëve të BE-së dhe gjashtë partnerëve nga Ballkani Perëndimor fillon në orën 09:30 në ndërtesën e Këshillit Evropian.

Drejt Brukselit ka udhëtuar dje edhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani me ftesë të presidentit të Këshillit Charles Michel, shkruan Reporteri.net.

Osmani do ta përfaqësojë Kosovën në takimin e krerëve të Bashkimit Europian me liderët e Ballkanit Perëndimor.

Në këtë takim, Presidentja Osmani do ta përçojë mesazhin e qartë të popullit të Kosovës mbi nevojën e përshpejtimit të procesit të integrimit, duke filluar nga liberalizimi i stërvonuar i vizave, deri tek mbështetja për statusin e vendit kandidat për Republikën e Kosovës, pas aplikimit.

Osmani në një intervistë gjatë ditës së djeshme tha se nuk ka pritje të mëdha se kosovarëve do t’u hiqen vizat, por tha se shpreson që kjo do të ndodhë më në fund.

Procesi i liberalizimit të vizave për Kosovën, është penguar vazhdimisht nga disa shtete anëtare të BE-së, sidomos Franca, e cila ka shprehur rezerva për lëvizjen e lirë të kosovarëve. Mirëpo, javëve të fundit shteti iFrancës ka dhënë sinjale se mund të mos e kundërshtojë më vendimin për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Sinjale pozitive ka edhe nga Holanda.

Deputetja holandeze dhe njërit anëtarja e Këshillit Evropian për Marrëdhënie të Jashtme, Kati Piri, ka thënë se disponimi i Holandës rreth integrimit evropian të shteteve të Ballkanit Perëndimor ka ndryshuar.

Pas viteve të tëra të bllokadës ndaj zgjerimit të mëtutjeshëm të BE-së si dhe liberalizimit të vizave për Kosovën, duket se qëndrimi holandez po ndryshon.

Piri tha se në parlamentin e Holandës gjërat tani shihen ndryshe.

Kosova është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor që nuk gëzon liberalizim vizash me BE-në.

Qeveria e Kosovës thotë se ka plotësuar çdo kriter nga gjithsejtë 95 sa i ka vendosur BE-ja në udhërrëfyesin për liberalizim.

Samiti përfundon të premten pasdite me një konferencë të përbashkët shtypi të presidentëve të Këshillit Evropian, Komisionit Evropian dhe Francës, pasi vendi përfundon presidencën e tij gjashtëmujore të radhës të BE-së.