Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë “pushtuar” nga ethet, teksa në Bruksel pritet të vuloset sot fati i tyre për hapjen ose jo të negociatave me Bashkimin Evropian.
Dita e parë e takimit të liderëve të BE është mbyllur pa një rezultat pozitiv për dy vendet, teksa Franca këmbëngul për mos hapjen e negociatave të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.
Ishte një diskutim maratonë mes krerëve të Bashkimit Evropian, që zgjati deri rreth orës 03:00 të mëngjesit të sotëm, por që nuk solli asgjë pozitive. Tashmë, dita e sotme është shpresa e fundit për të dy vendet ballkanike, ku liderët e BE do të mblidhen për të vendosur zyrtarisht.
Nga 28 vende anëtare të BE, 25 prej tyre janë për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, dhe vetëm 3 të tjerë e kundërshtojnë një proces të tillë, siç janë Franca, Holanda dhe Danimarka.