Fjalë Kyçe

Sot varroset Arian Daci

Sot varroset Arian Daci

Në varrezat e kryeqytetit sot në ora 13:00 do të organizohet ceremonia e varrimit të zëvendësministrit të Diasporës, Arian Daci.

I ndjeri vdiq dje si pasojë e një orteku bore në malet e Brezovicës.

Në momentin e shembjes së ortekut, Arian Daci ishte me një shok të tij, i cili u shpëtua në çastet e fundit.

Para ceremonisë së varrimit, në ambientet e Kuvendit të Kosovës nga ora 10:30 do të mbahen homazhe kurse në Teatrin Kombëtar nga ora 12:00 do të mbahet akademi përkujtimore.

Arian Daci është i biri i kryetarit të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Nexhat Dacit.

Njëri nga pjesëtarët e njësisë së shpëtimit në Brezovicë, Rifat Bytyqi, ka rrëfyer mbrëmë për RTK momentin kur kishin marrë lajmin për ortekun në qendrën e skijimit.

“Ka qenë ora 2 e 10 diku kur e kemi marrë informacionin për një ortek jashtë shtegjeve të skijimit. Informacioni ka qenë që dikush është zënë nga orteku”, ka thënë Bytyqi.

Ai ka shpjeguar se ekipet e shpëtimit kishin shkuar te vendi i ngjarjes dhe me ron sonda kishin arritur ta lokalizonin trupin e viktimës.

“Pasi e kemi lokalizuar me shpejtësi e kemi nxjerrë por në momentin kur e kemi nxjerrë ai ka qenë pa shenja jete”, ka rrëfyer Bytyqi.