Trashëgimia e pushtetit dhe nepotizimi i mesjetës dhe ai i komunizmit si duket nuk po përfundon në Kosovë. Kjo më së miri po dëshmohet nga vijat dhe lidhjet familjare të njerëzve që mbajnë poste publike dhe në ato institucione u bëjnë vend edhe familjarëve të tyre.
Javën e kaluar, luftimit të korrupsionit dhe nepotizmit u ishin kushtuar shtatët ditë, madje deklarata të fuqishme gjatë asaj jave dha edhe kryetari i Agjencisë Kundër Korrupsionit, Shaip Havolli.
Mirëpo, si i pakorruptuar dhe larg avancimeve me nepotizëm Shaip Havolli dhe familjarët e tij po dalin të jenë persona kyç në postet më të paguara në institucionet publike.
Madje si duket edhe avancimin e vetë Shaip Havollit e ka mundësuar i vëllai i tij Ymer Havolli.
Historia e nepotizmit të familjes Havolli
Një gjë të tillë po e dëshmon edhe familja e Ymer Havollit, i cili tani mban postin e Kryetarit të Bordit të Trustit të Kursimeve Pensionale të Kosovës, dhe është profesor në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, gjegjësisht në Fakultetin Ekonomik, dhe kolegje private.
Ymer Havolli gjithashtu ka edhe aksione bashkë me Kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe ish-kryeministrin, Isa Mustafën, në kolegjin privat ‘BPrAL RIINVEST’ SH.A. dhe në ‘Institutin RIINVEST’ SH.P.K.
Havolli në dy pozitat e tij publike, që paguhet nga buxheti i Republikës së Kosovës, si profesor në Universitetin e Prishtinës, paguhet në vlerë vjetore prej 22 mijë e 421 euro, derisa nga ushtrimi i detyrës si kryetari i bordit të Trustit merr pagë vjetore në vlerë prej 16 mijë e 790 euro.
Një pozitë po aq të mirë sa Ymeri, mban edhe vëllai i tij, Shaip Havolli, deri pak kohë ky i fundit ishte major – Shef i Hetimeve të Krimeve Ekonomike në Policinë e Kosovës, për të vazhduar si drejtor në Agjencinë Kosovare Kundër Korrupsionit.
Madje ky i fundit ishte edhe i zëshëm se do të luftojnë korrupsionin, ku në një ngjarje të organizuar nga Instituti Demokratik i Kosovës, thoshte se institucionet po luftojnë korrupsionin por që nuk është e mjaftueshme.
Shaipi të punësuar në një ndërmarrje publike ka edhe gruan e tij, e cila punon në Postën dhe Telekomin e Kosovës (PTK).
Shaipi si drejtor tani në AKK, merr pagë vjetore prej 24 mijë e 409.47 euro, përderisa gruaja e tij si e punësuar në PTK, merr pagë vjetore prej 12 mijë e 308.20 euro.
Nëse je familjar i Ymer Havollit, nuk ka gjasa të mbetesh jashtë institucioneve të Kosovës. Madje, edhe atëherë kur nuk arrini që të fitoni votën e popullit.
Sokol Havolli, djali i Ymerit, pjesë e Lidhjes Demokratike të Kosovës, ishte kandidat në zgjedhjet e fundit nacionale për deputet në Kuvendin e Kosovës. Mirëpo, ai nuk arriti që të marr besimin e popullit për tu bërë deputet.
Sokoli gjatë Qeverisë se Isa Mustafës, kishte postin e këshilltarit dhe shefit të kabinetit të kryeministrit.
Megjithatë, humbja në zgjedhje e Sokol Havollit, nuk e la atë jashtë institucioneve të Kosovës.
Ashtu si babai dhe xhaxhai i tij, Sokoli do gjente veten në një pozicion shumë të dëshirueshëm dhe ndër pozitat më të paguara në institucionet e Republikës së Kosovës.
Sokoli, do të zgjidhej nga Bordi i Bankës Qendrore të Kosovës me 28 qershor 2018 në pozitën e zëvendësguvernatorit të BQK-së.
Ky i fundit, të ardhurat e tij dhe pasurinë, nuk e ka të deklaruar në Agjencinë Kundër Korrupsionit, ku drejtor është xhaxhai i tij Shaipi.
Mirëpo, nga përllogaritjet sipas ligjit në fuqi për paga dhe meditje, paga e zëvëndësguvernatorit sillet rreth 3000 euro në muaj apo 36000 euro në vit.
Historia nuk përfundon me kaq.
Pa u punësuar edhe vajza në institucione të Kosovës, si duket Ymer Havolli nuk do të ishte i kënaqur.
Një pozitë po aq të mirë Ymeri ia gjeti edhe vajzës së tij, Sulltane Havollit, madje gjatë periudhës së Qeverisjes së LDK-së, e cila u punësua në Agjencinë e Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicionale, e cila vepron në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë.
Kjo ministri në atë kohë udhëhiqej nga Imet Rrahmani që ishte ministër nga radhët e LDK-së.
Sulltane Havolli, me një konkurs të hapur arriti që të përzgjidhet si kandidatja më e suksesshme në pozitën ‘Zyrtare e lartë shqyrtuese në Departamentin e Autorizimit për Marketing’, në AKPPM.
Ymer Havolli, qeverisjen e LDK-së dhe ortakun e tij në RIINVEST, ish-kryeministrin e Kosovës Isa Mustafën, nuk la pa e shfrytëzuar që ta avancojë në Ministrinë e Financave dhe rehatojë edhe me një pozitë të dytë djalin e tij të vogël, Berat Havollin.
Berati edhe më herët punonte në sektorin civil të Ministrisë së Financave, por avancimin do ta shijonte vetëm kur në pushtet do të ishte LDK-ja.
Pikërisht në Ministrinë e Financave të cilën po ashtu e kishte nën kontroll LDK-ja si atë të Shëndetësisë më herët tek vajza e Ymerit. E ministër ishte Avdullah Hoti, tani shef i grupit parlamentar të LDK-së në Kuvendin e Kosovës.
Avancimi i Beratit në ministrinë e udhëhequr nga Avdullah Hoti, u bë pikërisht në kohën kur Qeveria Mustafa ishte në detyrë dhe pritej të zëvendësohej nga fituesit e zgjedhjeve në Kosovë.
Në këtë periudhë tranzicioni, Ministria e Financave, djalin e Ymerit, vëllanë e Sokolit dhe Sulltanes, nipin e Shaipit, Beratin, e avancoi nga pozita e shërbyesit civil, në udhëheqës të një divizioni në Ministrinë e Financave.
Berati tani udhëheq me ‘Divizionin e politikave ekonomike në Departamentin e politikave ekonomike dhe bashkëpunimit ndërkombëtar’.
Berati nga paratë e buxhetit të Republikës së Kosovës, në baza vjetore paguhet në vlerë prej 8 mijë e 400 euro.
Një post për Beratin nuk ishte i mjaftueshëm, ai u shpërblye edhe me një post tjetër duke treguar fuqinë e Havollëve në Qeverisjen e Isa Mustafës.
Madje, ky post Beratit do t’i dhurohej nga ish-kreyministri Mustafa, para se Berati të avancohej në Ministrinë e Financave.
Ish-kryeministri Isa Mustafa, me vendim të tij e emëroi Beratin ‘Këshilltar në Konstituencë i Qeverisë së Republikës së Kosovës në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim’.
Pra, nga kjo përmbledhje i bie, që institucionet e Kosovës janë institucione familjare dhe populli i Kosovës voton parti politike për të punësuar familjarët e personave kyç të partive politike.