Publicisti Veton Surroi, ka hedhur një varg akuzash ndaj deklaratave të presidentit të vendit Hashim Thaçi i cili po qëndron për vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Surroi, ka thënë se derisa Thaçi në Amerikë ka deklaruar se nuk duhet lejuar krijimi i një asociacioni të komunave serbe me kompetenca ekzekutive në Kosovë, është pikërisht Thaçi ai i cili në vitin 2013 nënshkroi me Serbinë Marrëveshjen e Brukselit me të cilën krijohej Bashkësia e komunave serbe me kompetenca ekzekutive, shkruan Gazeta Alo.
Ndërsa, duke komentuar deklaratën e Thaçit që kufijtë e tanishëm të Kosovës nuk janë vullnet i popullit të saj sepse janë produkt i Jugosllavisë, Surroi ka thënë se ky deklarim i presidentit është i një historiani amator, e jo i përfaqësuesit kushtetues të Kosovës në botë.
Postimi i tij i plotë:
Hashim Thaçi ka deklaruar në Washington se nuk duhet lejuar krijimin e një asociacioni të komunave serbe me kompetenca ekzekutive në Kosovë, sepse do të thoshte krijim i Republikës Serbe. Por, më 2013 ishte mu Hashim Thaçi ai që nënshkroi me Serbinë Marrëveshjen e Brukselit me të cilën krijohej Bashkësia e komunave serbe me kompetenca ekzekutive; në formë eksplicite si rrafsh i tretë i pushtetit.
Në Washington poashtu deklaroi se kufijtë e tanishëm të Kosovës nuk janë vullnet i popullit të saj, se janë produkt i Jugosllavisë. Një deklarim i këtillë është i një historiani amator, jo përfaqësuesit kushtetues të Kosovës në botë.
Historiani amator ka të drejtë të elaborojë sipas qejfit intepretimet rreth kufijve, por presidenti i vendit jo.
Historiani amator ka të drejtë të jetë injorant. Presidentin e vendit injoranca nuk e mbron nga pasojat juridike dhe politike.
Varrezat e Evropës, përfshirë edhe ato në Kosovë, janë përplotë viktima të historianëve amatorë e presidentëve injorantë./Gazeta Alo/