Fjalë Kyçe

Surroi: Marrëveshja aktuale për Asociacionin është autonomi territoriale për Serbinë në Kosovë

Surroi: Marrëveshja aktuale për Asociacionin është autonomi territoriale për Serbinë në Kosovë

Publicisti Veton Surroi, ka folur për Marrëveshjen e Asociacionit të Komunave Serbe e cila ka ardhur si rezultat i negociatave Kosovë-Serbi.

Surroi në Rubikon në Klan Kosova tha se Kosova nuk mund të themelojë një Asociacion e cila është autonomi territoriale politike serbe në Kosovë.

“Kosova nuk mund të implementojë një marrëveshje e cila shkon ndesh me sistemin e vet kushtetues. Gjykata Kushtetuese ka thënë që Marrëveshja e 2013-shit duhet të implementohet. Por marrëveshja e 2013-shit është e dëmshme, është antikushtetuese. Kosova nuk mund të themelojë një Asociacion e cila është autonomi territoriale politike serbe në Kosovë”.

Ai theksoi se me ratifikimin e kësaj marrëveshje Kosova ka pranuar që të krijohet rrafsh i tretë politik, një autonomi territoriale.

“Kosova ka nënshkruar dhe pastaj Parlamenti e ka ratifikuar një marrëveshje të dëmshme. Me këtë Kosova ka pranuar që të krijojë rrafshi i tretë politik, një autonomi territoriale. Problemi është më i thellë sesa kaq. Në Gjykatën Kushtetuese nuk ka shkuar “Marrëveshja për Asociacionin” por “Marrëveshja për Statut”. Dhe Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se nuk mund të jap vlerësim për një marrëveshje e cila është marrëveshje ndërkombëtare. Ndonëse marrëveshja duhet të implementohet i ka identifikuar këto të meta në statutin për Asociacionin”.