Cristiano Ronaldos mund t’i kushtojë shtrenjtë festimi i golit të tretë në fitoren 3:0 të Juventusit ndaj Atletico Madrid në ‘Allianz Stadium’.
Ylli portugez pati një natë magjike të martën mbrëma, ku shënoi tri gola për t’i mundësuar Juventusit përmbysjen e rezultatit ndaj Atletico Madrid dhe kalimin në çerekfinale të Ligës së Kampionëve.
34 vjeçari, golin e kualifikimit e shënoi në minutat e fundit të ndeshjes nga penalltia, dhe nuk hezitoi t’i përgjigjet në të njëjtën mënyrë festimit të Diego Simeones nga ndeshja e parë e zhvilluar në ‘Wanda Metropolitano’.
Mediet në Spanjë shkruajnë se festimi i Ronaldos ishte drejtuar tifozëve ‘Colchoneros’, të cilët e kishin provokuar Ronaldon gjatë gjithë kohës në ndeshjen e parë.
Në anën tjetër, media italiane ‘Gazzeta dello Sport’, shkruan se UEFA mund të hap një hetim në lidhje me festimin e Ronaldos.
Ndryshe nga Simeone që u gjobit, Ronaldo rrezikon të skualifikohet për një ndeshje, pasi gjesti i tij mund të cilësohet provokues dhe tallës për palën kundërshtare.
Me një dënim, Ronaldo do të humbiste ndeshjen e parë çerekfinale. Në ditët në vijmë, pritet një vendim i UEFA-s në lidhje me këtë rast.