Fjalë Kyçe

Sylë Tahirsylaj: Pas të reshurave temperaturat do të shkojnë deri në 30 gradë

Sylë Tahirsylaj: Pas të reshurave temperaturat do të shkojnë deri në 30 gradë

Të reshurat intensive të shiut gjatë javëve të fundit në Kosovë, pritet të përfundojnë shumë shpejt. Kështu të paktën ka thënë për Gazetën Blic eksperti i meteorologjisë, Sylë Tahirsylaj. Ai tha se këto të reshura pritet që të përfundojnë në fund të kësaj jave ku temperaturat mund të shkojnë deri në 30 gradë celsius.“Në fund të javës pritet të përfundojnë reshjet intensive dhe të ngriten temperaturat. Mund të ketë reshje por jo me intensitet sikurse javët e kaluara. Erërat do të fryjnë por do të jenë të lehta ku nga jugut do të fryjnë me shpejtësi deri në 6 metra për sekondë”, tha ai.

Ai ka thënë se këto reshje, përveç anës pozitive në kulturat bujqësore, kanë shkaktuar edhe dëme në disa zona të Kosovës.“Mirëpo, këto reshje kanë pasur edhe efekt pozitiv për kulturat bujqësore, por ka pasur edhe dëme në disa zona nga breshëri dhe era zakonisht. Zona e cila ka pasur më së shumti dëme nga këto të reshura është ajo e Dukagjinit. Theksoj se në fund të kësaj jave të reshurat intensive do të përfundojnë. Në konditat normale të demografisë së vendit, temperaturat do të shkojnë prej 27 deri në 30 gradë celsius”, përfundoi ai.Ndryshe, gjatë ditës së sotme të reshurat e shiut kanë shkaktuar probleme në komunikacion në kryeqytet.

Ndonëse nuk zgjatën shumë, reshjet shkaktuan puse me ujë, të cilat e bënë të pamundur kalimin e qytetarëve në pjesë të caktuara të qytetit. Derisa kryeqyteti po përballet me probleme të shumta si ky i sotmi, kryetari Shpend Ahmeti është fokusuar në fusha të tjera, si bashkëdrejtues i ekipit negociator në dialogun me Serbinë.

Sot, ai mori pjesë edhe në hapjen zyrtare të panairit të librit në Prishtinë, kur edhe filluan reshjet.