Fjalë Kyçe

Tahiri thotë se ka ofertë nga Qeveria Kurti për t’u përfshirë në dialog

Tahiri thotë se ka ofertë nga Qeveria Kurti për t’u përfshirë në dialog

Pavarësisht se në vitin 2011 e kishin gjuajtur me domate, Qeveria Kurti duket se i kanë bërë ofertë ish-kryenegociatores, Edita Tahiri, që të përfshihet përsëri në procesin e dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë. Të paktën kështu ka deklaruar për Euronews Albania vetë Tahiri.

Ish-kryenegociatorja e Kosovës në dialogun me Serbinë, Edita Tahiri ka thënë se qeveria Kurti i ka bërë ofertë që të bëhet pjesë e ekipit negociator në dialog me Serbinë.

Por, Tahiri ka thënë se ia ka bërë të qartë qeverisë së Albin Kurti se në dialog merr pjesë vetën në pozita vendimmarrëse.

“E kam bërë me dije se nuk pranoj pozita të këshilltares në këtë proces sepse unë jam një prej liderëve kryesorë të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës dhe nuk ndërroj statusin tim nga lideri në këshilltar,” – deklaroi ajo për Euronews Albania.

Vetëvendosja e udhëhequr nga Albin Kurti në vitin 2011 kishin organizuar një aksion ku e kishin gjuajtur me domate Tahirin, që atë kohë bartte pozitën e kryenegociatores.

 Vetëvendosje kishte vepruar njejtë edhe në vitin 2012 kur e kishin gjuajtur me domate ndërmjetësuesin e atëhershëm Robert Cooper teksa ishte për vizitë në Kosovë.

Në këtë intervistë për Euronews Albania, Tahiri ka folur edhe për punën e fusnotës.

Sa i takon fusnotës, Tahiri tha se nuk është penduar dhe fokusi nuk duhet të ngelet aty, por te rezultatet të cilat janë arritur.

“Fusnota është bërë si një mjet që vlerëson rezultatet e dialogut gjatë kohës kur unë kam qenë negociatore,” – tha ajo, ndërsa nënvizoi se ka qenë një element i domosdoshëm, falë të cilit Kosova është zyrtarisht në rrugën e integrimeve europiane.

“U desh sepse 5 vende mosnjohëse të pavarësisë do të na pengonin në marrjen e marrëveshjes stabilizim-asocim sepse nuk do ta votonin për shkak të pamundësisë,” – shtoi Tahiri duke pohuar që fusnota ka ardhur si një zgjidhje optimale pikërisht për ato vende që nuk kanë njohur pavarësinë.