Presidenti i vendit Hashim Thaçi i ka dërguar tre ftesa kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe në të tre rastet është refuzuar.
Kreu i shtetit e ka ftuar kryetarin e subjektit fitues të zgjedhjeve të 6 tetorit në takim konsultativ për të kuptuar se kujt do t’i japë mandatin për të formuar qeverinë.
Madje, Thaçi pas dy ftesave në një ditë, vendosi që Kurtin ta takonte sot në ora 10:00, mirëpo ky i fundit u ofrua ta takojë të hënën e parë të vitit të ri, më 6 janar.
Në lidhje me afatet kohore për mandatarin për kryeministër, njohësi i rrethanave politike dhe kushtetuese, Mazllum Baraliu i tha KosovaPress-it se neni 95 i Kushtetutës e parasheh që qysh prej momentit kur Albin Kurti mandatohet nga presidenti për kryeministër, rrjedh afati i parë 15 ditësh për formimin e qeverisë.
Nëse nuk ka vota për këtë, pason afati tjetër 10 ditësh, e nëse as pas kësaj nuk arrihet, presidenti shpall zgjedhjet e reja brenda 40 ditësh.