Fjalë Kyçe

Takohet Albin Kurti dhe Agim Bahtiri, bisedojnë për bashkimin e Mitrovicës

Takohet Albin Kurti dhe Agim Bahtiri, bisedojnë për bashkimin e Mitrovicës

Sot kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka zhvilluar një takim me kryetarin e Mitrovicës, Agim Bahtirin dhe nënkryetarin e kësaj Komune, Faruk Mujka.

Në këtë takim, siç ka shkruar Mujka në profilin e tij në Facebook, është diskutuar për peticionin për bashkimin e Mitrovicës.

“Në takimin e sotëm u pajtuam për suksesin e Peticionit për bashkimin e qytetit, i cili u nënshkrua nga 16.594 qytetarë brenda 6 ditësh me të reshura dhe mot të ftohtë por cili nuk i pengoi qytetarët e Mitrovicës ta shprehin qartë dëshirën dhe vullnetin e tyre për bashkimin e qytetit dhe funksionimin e saj si një komune e vetme ku të gjithë qytetarëve të saj do të ofroheshin shërbimet më të mira pa marrë parasysh përkatësinë etnike apo fetare. Me këtë rast ju falenderohemi aktivistëve të Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe të partive të tjera që punuan pa kursim për ta realizuar këtë Peticion”, shkruan Mujka në profilin e tij në Facebook, transmeton Gazeta Alo.

Sipas tij, ata janë dakorduar që peticioni të procedohet sa më shpejtë nëpër komisionet parlamentare dhe të ketë mbështetjen e plotë të gjithë liderëve partiakë.

“Po ashtu u dakorduam që ky Peticion sa më shpejtë të procedohet nëpër komisionet përkatëse parlamentare, të ketë mbështetjen e plotë të gjithë liderëve partiak, faktorëve të ndryshëm politik dhe posaçërisht nga Deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës të cilët duhet ta përmirësojnë gabimin e legjislacionit kur u votua ndarja e qytetit në dy komuna pa i pyetur asnjëherë institucionet komunale dhe banorët e Mitrovicës”, shkruan Mujka.

Ai tha se kërkesa për bashkimin e qytetit në asnjë mënyrë nuk nënkupton kompromis me integritetin territorial të Kosovës

“Gjithsesi duhet pasur të qartë se kërkesa për bashkimin e qytetit në asnjë mënyrë nuk nënkupton një lloj kompromisi me integritetin territorial të Kosovës apo çfarëdo cenimi të kufijve të Kosovës, sepse një gjë e tillë është në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, vendimin e GJND-së dhe vendimin e atyre 110 shteteve që na kanë pranuar me këta kufinjë aktual, e ndër ta edhe SHBA-të” shtoi Mujka.

Gjithashtu Mujka shtoi se në këtë takim u diskutua edhe për disa projekte me rëndësi për Komunën e Mitrovicës.

“Në sferën e bashkëqeverisjes komunale, u diskutua edhe për disa projekte me rëndësi të veçantë për Komunën e Mitrovicës dhe benefitet që do t’i kenë qytetarët e saj nga to, por për këto projekte më hollësisht do të informoheni në ditët në vijim.” shkruan Mujka, trasnmeton Gazeta Alo.

Të gjithë së bashku për Mitrovicën e bashkuar dhe të zhvilluar!