Zbatimi i taksës 100 për qind për importet nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina ka sjell si efekt rritje në industrinë e prodhimit vendor, thonë përfaqësues të kompanive prodhuese në Kosovë.
Drejtori ekzekutiv i Klubit të Prodhuesve të Kosovës, Astrit Panxha, tha për Radion Evropa e Lirë se shumë prodhues vendorë kanë arritur të zgjerojnë tregun, duke arritur të rrisin sasinë e prodhimit dhe numrin e të punësuarve.
“Informatat që kemi nga sektori i prodhimit tregojnë se ka rritje në sektorin e ndërtimit, ushqimit dhe sektorë të tjerë. Ka shumë kompani që kanë filluar të punojnë me tri ndërrime. Shumë kompani kanë raportuar në Klubin e Prodhueseve të Kosovës se kanë rritur numrin e të punësuarve”.
“Edhe importet e investimeve kapitale, makineri dhe pajisje tjera për prodhim janë rritur për 17 për qind në krahasim me vitin e kaluar. Që nënkupton se përveç rritjes së prodhimit shumë prodhues kanë porositur kapacitete shtesë për të përballur rritjen e kërkesës që është duke ndodhur në treg”, tha Panxha.
Në bazë të të dhënave preliminare të një studimi që do të publikohet së shpejti nga Aleanca Kosovare e Biznesit, për efektet e taksës në industrinë e prodhimit në Kosovë, tregojnë se taksa ka ndikuar në rritjen e prodhimit vendor.
Kryetari i këtij subjekti ekonomik, Agim Shahini tregon për Radion Evropa e Lirë se që nga zbatimi i taksës, kompanitë prodhuese kanë rritur kapacitet për 30 për qind, kurse numrin e punëtorëve deri në 20 për qind.