Fjalë Kyçe

Taravari: I shokuar që Osmani ka keqpërdorur pozicionin për t’ia bërë argatin Serbisë

Taravari: I shokuar që Osmani ka keqpërdorur pozicionin për t’ia bërë argatin Serbisë

Kandidati për president të Maqedonisë së Veriut nga partitë shqiptare opozitare, Arben Taravari, ka reaguar pas statusit të zëdhënësit të Qeverisë, Përparim Kryeziu për planin 9-pikësh të OSBE-së për Kosovën.

Ai në një postim në Facebook ka shkruar se Qeveria e Kosovës paska zbuluar se në fakt ky plan është shkruar nga vetë dora e Bujar Osmanit e jo nga ndërkombëtarët.

Taravari ka thënë se është “i shokuar të kuptojë nëse Osmani, si kryesues shqiptar i OSBE-së, ka keqpërdorur pozicionin e tij për t’i bërë argatin Serbisë duke bërë te vetat kërkesat e Beogradit”.

Ai ka thënë se Plani 9 pikësh i Bujar Osmanit ka kërkuar tërheqjen e policisë speciale të Kosovës, nga territori legjitim i Kosovës, e sipas tij, ai ka kërkuar po ashtu dorëheqjen e kryetarëve shqiptarë të komunave veriore.

“Dokumenti i Bujar Osmanit ka kërkuar që të mos qëndrojnë në veri ata heronjë që na bënë krenarë të gjithëve në rastin e sulmit të Vuçiçit në Banjskës, ku u vra nga terroristët serbë polici dëshmor Afrim Bunjaku. Fatmirësisht mendoj, qeveria e Kosovës nuk e ka pranuar planin e Bujar Osmanit, sepse po të ishte pranuar ai plan, bandat e Vuçiqit nuk do të kishin gjetur rezistencë. Na vjen të gjithëve vështirë, kur një politikan shqiptar nga Maqedonia e Veriut, siç është Bujar Osmani, mban qëndrime të tilla antikombëtare në rastin e Kosovës”, ka shkruar ai.