Fjalë Kyçe

Të gjitha vendimet që mori Qeveria sot

Të gjitha vendimet që mori Qeveria sot

Nën kryesimin e kryeministrit, Albin Kurti, Qeveria e Republikës së Kosovës ka mbajtur mbledhjen e rregullt të 36-të.

Në fillim të mbledhjesm, Kurti foli rreth vendimit të qeverisë për pajisjen me targa të përkohshme për automjetet me targa të Serbisë e që hyjnë në Kosovë nga të gjitha pikat kufitare.

“Vënia e ligjshmërisë në vend është interes i të gjithëve dhe nuk është kundër askujt. Masat që i kemi ndërmarrë, vendimet që i kemi marrë janë për të gjithë pa diskriminuar dhe pa privilegjuar asnjeri. Për incidente dhe për eskalim nuk kanë interes shteti i Kosovës dhe as qytetarët e vendit tonë. Nuk kanë interes as serbët në Kosovë. Nuk ka interes për destabilizim as Serbia”, tha kryeministri Kurti, duke falënderuar Ministrinë e Punëve të Brendshme për punën, siç tha, të shkëlqyer e në veçanti të gjithë policët për profesionalizmin dhe korrektësinë e tyre.

Kryeministri në fjalën e tij foli edhe për gjashtëmujorin e punës së Qeverisë që nga marrja e mandatit, duke thënë se veprimet e Qeverisë e kanë kthyer shtetin drejt rritjes dhe zhvillimit ekonomik, barazisë dhe mirëqenies sociale dhe progresit shoqëror.

Me vendimin e parë në mbledhjen e sotme të Qeverisë është miratuar Projektligji për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit Nr. 05/L-010 për Agjencinë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës.

Qeveria ka miratuar edhe Projektligjin për Inspektimet, i cili përcakton parimet e inspektimit, rregullat, për organizimin e organeve inspektuese në kompetencë të administratës shtetërore dhe komunave, rregullat për koordinimin e veprimtarive të inspektimit dhe procedurën e inspektimit.

Pas shqyrtimit kabineti qeveritar ka miratuar edhe Projektligjin për Topografitë e Gjysmëpërçuesve, i cili përcakton kërkesat, masat dhe procedurat për mbrojtjen ligjore të topografive të produkteve gjysmëpërçuese dhe zbatimin e të drejtave që rrjedhin nga ky ligj.

Është miratuar edhe Plani i Veprimit për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuar në Republikën e Kosovës (2021-2023) në kuadër të Strategjisë Nacionale për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara në Republikën e Kosovës (2013-2023). Ky është plani i tretë në kuadër të kësaj Strategjie në nivel vendi dhe ka për qëllim të avancojë në çdo aspekt të drejtat e personave me aftësi të kufizua deri në arritjen e një synimi final për krijimin e një shoqërie gjithëpërfshirëse në të cilën personat me aftësi të kufizuar realizojnë potencialin e plotë të tyre dhe kanë të drejtën të jetojnë një jetë të dinjitetshme.

Me vendim të Qeverisë në mbledhjen e sotme është themeluar Komisioni Ekzekutiv (“Komisioni”) në qëllim të propozimit dhe hartimit të parimeve themelore, si parakusht për themelimin e Fondit Sovran të Republikës së Kosovës, në këtë përbërje të anëtarëve të përhershëm:

2.1. Kryeministri i Republikës së Kosovës, kryesues;

2.2. Zëvendës Kryeministri i parë, zv. kryesues;

2.3. Ministri i Ekonomisë, anëtar;

2.4. Ministri i Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, anëtar;

2.5. Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës; anëtar;

2.6. Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, anëtar; dhe

2.7. Zëvendësuesi i Sekretarit të Përgjithshëm i Zyrës së Kryeministrit.

Po ashtu, Qeveria ka shqyrtuar dhe aprovuar vendimin për ndryshimin dhe plotësimin e vendimit të Qeverisë Nr. 07/43 të datës 13.11.2020, përmes të cilit Flamur Kadriu caktohet zëvendësues i Kryeshefit i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë. Ky vendim është pjesë përbërëse e vendimit të Qeverisë 09/27 të datës 30.04.2020.

U miratua edhe Nisma për nënshkrimin e Amendamentimit 1. të Marrëveshjes Financiare ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian për Programin IPA 2017, Pjesa 1.

Po ashtu, u miratua edhe Nisma për nënshkrimin e Amendamentimit 1. të Marrëveshjes së Financimit në lidhje me Programin e Veprimit për Kosovën për vitin 2018.

Pas shqyrtimit janë miratuar edhe vendimet për të kërkuar nga Presidentja e Republikës së Kosovës dhënien e autorizimit Zëvendëskryeministrit të parë z. Besnik Bislimi për nënshkrimin e Amendamentit 1. të Marrëveshjes Financiare ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian për Programin IPA 2017, Pjesa I, dhe për nënshkrimin e Amendamentimit 1. të Marrëveshjes së Financimit në lidhje me Programin e Veprimit për Kosovën për vitin 2018.

Nga kabineti qeveritar është miratuar kërkesa e Ministrisë së Shëndetësisë për pagesën e Specializantëve me vetëfinancim, nga kategoria ekonomike subvencione dhe transfere, prej datës 1 nëntor deri më 31 dhjetor të vitit 2021.

Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin për ndryshimin dhe plotësimin e Vendimit të Qeverisë Nr.03/49 të datës 08.12.2020 i ndryshuar dhe plotësuar me Vendimin Nr. 18/19 të datës 14.07.2021, në të cilën pika dy e vendimit ndryshohet/plotësohet si në vijim: Shtyhet afati i mbylljes së avansit duke zgjatur afatin deri me datën 30.11.2021.

Pika tjetër e radhës që u miratua në mbledhjen e sotme është vendimi për aprovimin e rekomandimit të Komisionit Ndërministror për Investime Strategjike për dhënien e statusit të Investitorit Strategjik për subjektin investues “KOSMONTE FOODS Sh.P.K”.

Me vendimin e miratuar nga Qeveria është bërë shfuqizimi i akteve sipas paragrafit 2. të vendimit të Programit për eliminimin e barrierave tregtare sipas neneve 34-36 të Traktatit mbi Funksionimin e BE-së. Ky program ka obliguar ministritë dhe agjencitë respektive që të bëjnë shqyrtimin e legjislacionit teknik dhe jo-teknik kombëtar të pa-harmonizuar i cili mund të përmbajë “masa me efekt ekuivalent” të cilat paraqesin barriera të pajustifikueshme në tregti dhe eliminimin e këtyre barrierave përmes masave gjegjëse korrigjuese.

Me vendim të Qeverisë, siç e parasheh edhe Strategjia Kombëtare kundër trafikimit me njerëz, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla është emëruar Koordinator Kombëtar kundër trafikimit me njerëz.

U miratua edhe vendimi për ndryshimin dhe plotësimin e vlerës së shpenzimeve të transportit detar dhe kontejnerëve në shtojcën 2. të Udhëzimit Administrativ Nr.06/2015 për përcaktimin e kostos së shpenzimeve të transportit të mallrave të importuara, konform listës së çmimeve të përditësuara.

Në mbledhjen e sotme është miratuar vendimi për ndarjen e mjeteve buxhetore në shumë prej dy milionë euro (2,000,000 €) për zbatimin e vendimit të Qeverisë Nr.13/19 të datës 14/07.2021, Pakoja e Ringjalljes Ekonomike, Masa 1.5 trajnimi dhe punësimi në TI, si vijon:

1. Një milion euro ( 1,000,000 €) për subvencionimin e bursave për studentë ndahen në Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, në nënprogramin Administrata Qendrore, në kategorinë e shpenzimeve subvencione dhe transfere;

2. Një milion euro ( 1,000,000 €) për aftësimin e të rinjve në fushën e TI-së ndahen në Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve në nënprogramin shërbimet e aftësimit profesional, në kategorinë e shpenzimeve subvencione dhe transfere.

Po ashtu, është miratuar vendimi për t’i propozuar Kuvendit të Republikës së Kosovës kandidatët për anëtarë të Këshillit Kombëtar të Shkencës, në këtë përbërje:

1. Fetah I. Podvorica,

2. Mihone Kerolli Mustafa,

3. Ardian B. Gojani,

4. Myzafere Krasniqi-Limani,

5. Ardian Morina,

6. Zanfina Ademi,

7. Fisnik Kurshumliju,

8. Bajram Berisha,

9. Hysen Bytyqi,

10. Aliriza Arenliu,

11. Gazmend Qorraj,

12. Armend Tahirsylaj,

13. Sevdan Kervan,

14. Majlinda Bregasi,

15. Arbnora Dushi.

Miratimin e ka marrë edhe vendimi për t’i propozuar Kuvendit të Kosovës ratifikimin e anëtarit të Këshillit Shtetëror të Cilësisë së Agjencisë Kosovare të Akreditimit, Kleman Miklaviç, me mandat pesëvjeçar.

Është miratuar edhe vendimi për të kërkuar nga Presidentja e Republikës së Kosovës dhënien e autorizimit ministres së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit për lidhjen e marrëveshjes së bashkëpunimit me Komisionin Evropian për programin Horizone Europe për fitimin e statusit të asociuar për Republikën e Kosovës. Kjo marrëveshje paraqet një hap me rëndësi për vendin tonë në rrugën e integrimit evropian.

Qeveria ka miratuar dy nisma, ajo për lidhjen e Memorandumit të Mirëkuptimit ndërmjet Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për shkëmbimin akademik ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës përmes programit Fulbright. Lidhja e këtij Memorandumi të Mirëkuptimit ka për qëllim të forcojë dhe zhvillojë më tej lidhjet midis pjesëmarrësve në procesin e zbatimit të programit të shkëmbimit akademik Fulbright në arsim, kulturë, shkencë dhe kërkime të bazuara në rrethana që konsiderohen reciprokisht të dobishme; si dhe nisma për lidhjen e marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Kroacisë për ndihmën e ndërsjellë në rast të fatkeqësive natyrore dhe atyre të shkaktuara nga faktori njeri.

Në fund të mbledhjes, me propozim të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, u aprovua vendimi për ndarjen e mjeteve financiare në shumë prej 55 mijë e 700 euro për Ministrinë e Shëndetësisë në mënyrë që të mbulohet pagesa e 34 inspektorëve sanitarë. Pra, përmes këtij vendimi mbulohet kostoja për angazhimin e përkohshëm të këtyre inspektorëve që kanë të bëjnë me menaxhimin e pandemisë COVID 19.