Fjalë Kyçe

Të gjithë mjekët që vdiqën nga COVID-19 do dekorohen me Medalje të Meritave

Të gjithë mjekët që vdiqën nga COVID-19 do dekorohen me Medalje të Meritave

Të gjithë punëtorët shëndetësor të cilët vdiqën si pasojë e COVID-19 në Kosovë, do të dekorohen me medalen presidenciale të meritave.

Ky vendim është marrë nga ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani.

Ajo me anë të një postimi në Facebook ka vlerësuar lartë kontributin e këtyre mjekëve, teksa ka thënë se ceremonia e ndarjes së dekoratës do të mbahet ditëve në vijim.

Postimi i plotë:

Mijëra punonjës shëndetësor u infektuan nga virusi Covid-19, si vija e parë e përballjes me pandeminë. Përderisa shumica i mbijetuan këtij virusi të rrezikshëm dhe menjëherë u kthyen në shërbim të pacientëve, disa prej tyre, për fat të keq, humbën jetën në këtë përballje. Kontributi i tyre, duke dhënë edhe jetën vetëm e vetëm për t’i shërbyer pacientëve të tyre, duke respektuar betimin e Hipokratit deri në frymën e fundit, meriton të nderohet nga të gjithë ne.

Prandaj, në përputhje me përgjegjësitë e mia kushtetuese, kam vendosur që të dekorojë, post mortem, me Medaljen Presidenciale të Meritave, punonjësit shëndetësor të cilët derisa aktivisht po ofronin shërbime shëndetësore, u infektuan me Covid-19 gjatë pandemisë, dhe humbën jetën e tyre nga ky infeksion.

Ceremoninë e ndarjes së dekoratave do ta organizojmë së shpejti në Presidencë, në prani të familjarëve. Ndërkaq lista e të dekoruarve do të përditësohet konform informatave që i marrim nga institucionet përgjegjëse.