Fjalë Kyçe

Të hënën do të mbahet protestë para Ministrisë për sigurinë e vajzave në shkolla

Të hënën do të mbahet protestë para Ministrisë për sigurinë e vajzave në shkolla

Kolektivi për Mendim Kritik dhe Veprim Feminist do të mbajë të hënën protestë para Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit për sigurinë e vajzave në shkolla.

Sipas njoftimit dërguar mediave, protesta do të nis nga ora 12:00. “Dje, në shkollën ‘Faik Konica’ u bë publik rasti i një sulmi seksual ndaj një nxënëse në klasën e parë nga tre nxënës të klasës së shtatë. Ky rast, i cili nuk mund të lexohet si rast i izoluar, është duke e shpërfaqur edhe një herë, në mënyrë të frikshme realitetin e vajzave”, thuhet në njoftim.

Sipas kësaj organizate, vajzat janë duke u ballafaquar me dhunë e abuzim seksual në shkolla, pikërisht për shkak të dështimit shoqëror e institucional për ta trajtuar dhunën ndaj vajzave e grave si problem serioz dhe shqetësim për sigurinë publike.

“Andaj, nesër, në ora 12:00, mblidhemi pranë Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, për të protestuar kundrejt neglizhimit të sigurisë së vajzave dhe mungesën e politikave të mirëfillta të edukimit, të cilat janë duke e mirëmbajtur patriarkalitetin i cili po rezulton të jetë i dhunshëm për vajzat brenda dhe jashtë institucioneve shkollore”, thuhet në njoftim.

Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist ka njoftuar se protesta do t’i ketë tri kërkesa kryesore: Futja e edukatës seksuale në shkolla, ambiente të sigurta për nxënëset/it, punësimi i punëtoreve/ëv socialë dhe psikologeve/ëve në të gjitha shkollat.

“Protestueset/it duhet t’i respektojnë udhëzimet e IKShPK-së dhe Ministrisë së Shëndetësisë për frenimin e përhapjes së COVID – 19 duke u pajisur me maska dhe mbajtur distancimin fizik”, thuhet tutje në njoftim.