Fjalë Kyçe

Të hënën nis mësimi: Nagavci tregon numrin e mësimdhënësve të vaksinuar

Të hënën nis mësimi: Nagavci tregon numrin e mësimdhënësve të vaksinuar

Të hënën nis viti i ri shkollor, në të gjitha nivelet e arsimit parauniversitar, me vendim të fundit të Qeverisë së Kosovës për masat anti-COVID.

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Tekonologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ka bërë të ditur përmes një statusi në Facebook se 90% e mësimdhënësve dhe stafit tjetër që punon në shkolla janë vaksinuar, teksa 65% e tyre me të dy dozat e vaksinës.

Nagavci ka thënë se ky vit shkollor mund të jetë sfidues, prandaj ka kërkuar respektimin e masave mbrojtëse dhe vaksinimin.

“Ndonëse situata me pandeminë na ka sjell në një gjendje të vështirë e me shumë sfida, janë bërë përgatitjet e duhura për të filluar vitin e ri shkollor. Mbi 90% e mësimdhënësve dhe stafit tjetër që punon në shkolla janë vaksinuar, më shumë se 65% prej tyre me të dy dozat. Përkundër progresit në vaksinimin e popullsisë, e në veçanti të punonjësve të arsimit, ky vit shkollor mund të jetë shumë sfidues. Prandaj është e domosdoshme të respektohen masat mbrojtëse të rekomanduara nga profesionistët shëndetësor. Kjo është mënyra më e mirë për të vënë nën kontroll pandeminë, duke i kontribuar mbarëvajtjes së procesit mësimor dhe ruajtjes së shëndetit publik”, ka shkruar ajo në Facebook.

Sipas vendimit të fundit të Qeverisë, mësimi në të gjitha nivelet e arsimit parauniversitar do të fillojë me datën 27 shtator ku në klasa nuk do të lejohen më shumë se 20 nxënës.

Në klasat me më shumë se 20 nxënës, mësimi mbahet në dy grupe.