Fjalë Kyçe

Të paraburgosurve në Hagë u mundësohet edhe takim intim me bashkëshortet e tyre

Të paraburgosurve në Hagë u mundësohet edhe takim intim me bashkëshortet e tyre

Të paraburgosurit në Hagë kanë të drejtë të vizitohen nga familjarët e tyre 10 ditë në çdo periudhë prej 30 ditësh.

Vizitat e familjarëve, ku përfshihen bashkëshortet ose partneret, prindërit, fëmijët, vëllezërit e motrat e të paraburgosurve, mund të zgjasin gjithë ditën për aq sa zgjat orari i vizitave. Në Gjykatën Speciale janë të rregulluara edhe vizitat intime dhe numri i takimeve private që mund të kenë të paraburgosurit.

Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë treguar se ish-komandantët e UÇK-së kanë të drejtë të kenë vetëm një takim intim në çdo tre muaj me bashkëshortet ose partneret e tyre.

Vizitat private mbahen në një vend të përshtatshëm, larg shikimit e dëgjimit të oficerëve të paraburgimit e mund të zgjasin deri në tri orë.

“Këto udhëzime parashikojnë që një person në paraburgim lejohet të shpenzojë kohë me bashkëshorten/bashkëshortin ose partneren/partnerin dhe/ose fëmijët në vizitë private të paktën një herë në tre muaj. Vizitat private kryhen jashtë rrezes së shikimit dhe dëgjimit të oficerëve të paraburgimit. Për këtë qëllim, në objektin e paraburgimit vihet në dispozicion një vend i përshtatshëm, duke i kushtuar kujdesin e duhur sigurisë dhe dinjitetit”, thuhet në përgjigjen e Speciales për Reporterin.

Të paraburgosurit në Speciale mund të kenë takime private edhe me fëmijët e tyre.

Tutje ata kanë treguar se Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi dhe të tjerët kanë të drejtë deri në 10 ditë vizita në çdo periudhë prej 30 ditësh.

“Personave që mbahen në paraburgim u lejohen 10 ditë vizitash në çdo periudhë prej 30 ditësh dhe përgjithësisht vizitat mund të zgjasin gjithë ditën, brenda orarit të vizitave. Njësia e Paraburgimit mundëson vizitat me të afërm të ngushtë duke përdorur procedura të thjeshtuara të vizitave”, thuhet në përgjigjen e DHSK-së.

Në udhëzimin e Speciales për “Procedurat e Vizitave nga Anëtarët e Familjes dhe Vizitorë të Tjerë Personalë”, thuhet se në një vizitë tek të paraburgosurit lejohen të marrin pjesë njëherësh jo më shumë se katër vizitorë.

Tutje thuhet se me kërkesë me shkrim nga i paraburgosuri, shefi i paraburgimit mund të bëjë përjashtime për fëmijët më të vegjël se katër vjeç.

Sipas udhëzimeve të Njësisë së Paraburgimit të DHSK-së, të paraburgosurve u lejohen të sjellin ushqim, pije e lojë me letra ose lojëra të ngjashme të tavolinës.

Në përgjigjen e tyre, DHSK ka treguar se për shkak të pandemisë COVID-19, vizitat nga familjarët kanë qenë të kufizuara përkohësisht, por që pas vaksinimit Njësia e Paraburgimit po hapet gradualisht dhe në mënyrë progresive për vizita nga jashtë.

nga 15 korriku, të paraburgosurve u është lejuar vizitat nga bashkëshortet, prindërit, fëmijët, vëllezërit e motrat e tyre.

Ndërkaq, Gjykata Speciale ka treguar se në periudhën gusht-shtator pritet të rifillojnë vizitat me anëtarë të tjerë të familjes.

“Që nga data 15 korrik 2021, janë mundësuar vizitat personale familjare për bashkëshortet ose partneret, prindërit, fëmijët dhe vëllezërit e motrat e personave në paraburgim. Në periudhën gusht-shtator pritet të rifillojnë edhe vizitat me anëtarë të tjerë të familjes, nëse do të ketë një vlerësim pozitiv të fazës së parë në bazë të këshillave mjekësore të përditësuara, duke marrë parasysh situatën e KOVID-19 në nivel global”, shtoi Specialja.