Fjalë Kyçe

Të rinjët kosovarë të përfshirë në rrahje e deri te vrasja, psikologu/ Të ndryshohet kurrikula arsimore

Të rinjët kosovarë të përfshirë në rrahje e deri te vrasja, psikologu/ Të ndryshohet kurrikula arsimore

Të rinjët kosovarë po del të jenë koxha të përfshirë në përleshje ku disa prej tyre po përfundojnë edhe humbje jete.

Të hënën 21-vjeçari E.R.,, fëmija i vetëm i familjes, është privuar nga jeta me armë zjarri pak metra larg shtëpisë në Gjilan. Kurse i plagosur mbeti një 29 vjeçar.

Sipas policisë, personat e përfshirë në këtë ngjarje kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të njëri-tjetrit. Pesë persona u arrestuan për këtë rast.

Një rast i ngjajshëm ndodhi edhe në Zhur të Prizrenit, ku pesë persona që i takonin nga mosha 21 deri në 15 vjeç,u përfshinë në një rrahje masive ku u përdorën edhe thika. Sipas raportit të PK-së njëri nga ta ka marrë plagë në gjoks afër zemrës por është jashtë rrezikut për jetë.

Për agresivitetin dhe dhunën e përdor nga të rinjët në ditët e sotme ka folur psikologu klinik, Sami Hajrullahu.

Ai në një prononcim për IndeksOnline ka thënë se kohëve të fundit gjithnjë e më shumë kemi një numër në rritje të fëmijëve dhe të miturve të cilët janë të përfshirë në krime të ndryshme si: lëndime trupore të lehta e të rënda, vrasje, vrasje në tentativë, pjesëmarrje në rrahje, armëmbajtje pa leje, dhunë në familje etj.

Hajrullahu u shpreh se është nevojë urgjente që të ndryshohet kurrikula arsimore.

“Duke e ditur atë se fëmijët në parim nuk lindin me prirje kriminale atëherë kemi të bëjmë me faktorët psikologjik, mjedisor, socio-ekonomik e politik që janë si shkaktarë të këtyre sjelljeve e veprimeve nga ana e fëmijëve dhe të miturve.

Kurrikula arsimore mendoj se duhet ndryshuar shpejtë, që nxënësit të kenë më shumë orë mësimore nga edukata fizike dhe muzikore, që secila shkollë të ketë obligative organizimin e garave sportive në baza 2-3 mujore, që takimet me prindin e fëmiut ose kujdestarin ligjor të jenë më të shpeshta, që secila shkollë të ketë psikologun shkollor dhe atë klinik”, tha ai.

Psikologu tregoi edhe disa faktorë të rëndësishëm që ndikojnë në sjelljen e të rinjëve. Ai bëri thirrje që institucionet komunaletë angazhohen që të ketë sa më shumë parqe dhe vende për rekreacion.

“Pra, sot ne i njohim disa faktorë kryesor që kontribuojnë në sjellje dhe veprime të tilla nga ana e fëmijëve dhe të miturve e që janë: niveli i ultë i edukimit, kuadri jo i kënaqshëm kualitativ shkollor-arsimor, kurrikula jo të duhura, mungesa e psikologut në shkollë, çrregullime të ndryshme psikologjike, statusi i dobët ekonomik, abuzimi me substanca narkotike, mardhënie jo të shëndetshme e të shëndosha në familje, mungesa e bashkëpunimit fëmijë-prind, prindër jo bashkëpunues etj. Pra, të gjitha nga këto më lart mund të jenë shkaktarët kryesor pse një fëmijë ose një i mitur përfshihet në situata të ndryshme konfliktuoze kriminale.Institucionet komunale duhet të angazhohen që të ketë fusha sportive për secilën lagje, sa më shumë parqe dhe vende për rekreacion etj ndërsa Institucionet qëndrore duhet fuqizuar dhe standardizuar legjislacionin për të drejtat e fëmijëve në vendin tone”, tha ai.