Fjalë Kyçe

Të suksesshmit, të papunë!

Të suksesshmit, të papunë!

Afrim Tovërlani, trajneri me më së shumti trofe të fituar në futbollin kosovar, qe një kohë të gjatë ka mbetur pa skuadër. Trajnerë tjerë kampionë e të suksesshëm, si Gani Sejdiu apo Bylbyl Sokoli, po ashtu kanë mbetur pa skuadra. Të tre ata shpjegojnë pozitat në të cilat gjenden përmes Gazetës Express.

Afrim Tovërlani, Gani Sejdiu dhe Bylbyl Sokoli, janë figura shumë të njohura në futbollin e Kosovës. Të tillë janë bërë përmes sukseseve që i kanë arritur me klubet kosovare në garat futbollistike në vendin tonë.

Por, kohëve të fundit të tre ata më shumë shihen nëpër studio televizive, si analistë, sesa si trajnerë në bankinat e stadiumeve të Kosovës.

Përkundër trofeve apo rezultateve të çmueshme që i kanë arritur ndër vite, të tre ata tashmë qe një kohë goxha të gjatë kanë mbetur të papunë. Kjo për shkak se klubet e Superligës kosovare viteve të fundit më shumë po u besojnë trajnerëve me shtetësi tjetër sesa vendorëve me të cilët punonin viteve të mëparshme, sidomos në kohën e para anëtarësimit të Kosovës në UEFA e FIFA.

Të kontaktuar nga Gazeta Express, të tre thanë se do të ishin të interesuar të riktheheshin për të punuar në klubet elitare nëse do të kishin oferta apo edhe mundësi serioze e profesionale.

Afrim Tovërlani, i cili që nga tetori i vitit 2020 është pa skuadër pasi kishte dhënë dorëheqje nga Feronikeli, u shpreh se nuk është i interesuar të punojë në klube që nuk kanë strategji dhe planifikim afatgjatë

“Gjatë verës kam pasur oferta, ndërsa tash në gjysmësezon jo. Ta them të drejtën nuk jam i interesuar të shkoj të punoj në klube që nuk kanë strategji dhe planifikim më afatgjatë! Për 4-5 muaj nuk jam i interesuar. Kam qenë i gatshëm për klube serioze, përndryshe do të rri kështu siç jam qetë”, deklaroi për Gazetën Express, Afrim Tovërlani, i cili është trajneri më i suksesshëm pas luftës, duke e fituar katër herë titullin e kampionit, tri me Prishtinën dhe një me Feronikelin.

Ish-trajneri i Drenicës, Feronikelit, Vëllaznimit, Trepçës dhe Trepçës ’89, Gani Sejdiu tash e një vit e gjysmë është pa skuadër. Ai tregon se ka oferta, por jo të përshtatshme për të.

“Oferta ka pasur, nga Liga e Parë ka pas, por nuk më kanë konvenuar. Edhe në Superligë është një ofertë, por pak problem atë ofertë me pranu, pavarësisht kushteve, për shkak të shumë faktorëve. Kanë qenë dy oferta nga Liga e Parë, por ato i kam refuzuar për shumë arsye. Nuk janë ambiciet e klubit ato që më konvenojnë mua. Jo që është Liga e Parë, se nuk kam komplekse. Unë deri sa të gjej klub jam këtu me trajnerët e KF Mitrovica me të cilët po përgatitemi”, u shpreh Gani Sejdiu, i cili ka dy tituj kampioni në Kosovë me Trepçën dhe Feronikelin.

Edhe Bylbyl Sokoli u shpreh i gatshëm për t’u rikthyer në bankinën e trajnerit, teksa tregon se tashmë ka kontakte me disa klube të Superligës.

“Kam pasur kontakte dhe kam kontakte me disa klube të Superligës. Deri tani nuk jemi dakordu. Sigurisht se mendoj te rikthehem aty ku mendoj se mund te jem i suksesshëm”, u shpreh “Profa” që ka një titull kampioni me Besianën, ndërsa njihet si një trajner që arrin rezultate të mira me klube të vogla, siç kishte bërë para pak kohësh me Ferizajn, të cilin mrekullisht e kishte shpëtuar pa rënë nga Superliga.