Fjalë Kyçe

Tërmeti i fortë shkatërroi shtëpitë në Korçë, banorët e kalojnë natën në çadra

Tërmeti i fortë shkatërroi shtëpitë në Korçë, banorët e kalojnë natën në çadra

Që prej mëngjesit të së shtunës, dhjetëra lëkundje tërmeti deri në magnitudën 5.3 janë regjistruar në juglindje të vendit. Epiqendrat e lëkundjeve të njëpasnjëshme janë në zonën mes Korçës dhe Ersekës. Dëme ka pasur edhe në qytet, por më e rëndë ka qenë situata në fshatin Floq.

Katër persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore dhe mbi 60 banesa janë dëmtuar rëndë. Të mbetur të pastrehë, dhjetëra banorë po e kalojnë natën në çadra.

Gazetarja Dhorjela Çule dhe operatori Olgert Themeli ishin në fshatin e çadrave, në Floq. Ata biseduan me banorët e shqetësuar, jo vetëm nga frika për jetën e tyre, por edhe për shtëpitë, të cilat thonë se nuk kanë parà për t’i ndërtuar sërish.

Dhjetëra familje, të cilat humbën shtëpitë e tyre si pasojë e fatkeqësisë natyrore, janë strehuar në një zonë me çadra. Do të jetë një natë e vështirë, pasi temperaturat janë ulur ndjeshëm. Ndërkohë, gra, burra, fëmijë dhe të moshuar janë strehuar në kushte provizore për të kaluar jo vetëm këtë natë, por nuk i dihet edhe sa net të tjera.

Ata shprehen se kanë të pamundur të rikthehen në banesat e tyre, të cilat janë shembur ose paraqesin rrezik shembjeje.

“Vajtëm tani, u lëkund sërish dhe u tmerruam. Nuk hyjmë dot në shtëpi. Një bisht lope kemi atje, shpresoj të mos na e marrin”, tha një qytetare.

“I ftohti, rrobat për t’u ndërruar. Jemi në vështirësi”, tha një tjetër zonjë me fëmijën në krah.

“Jemi këtu, por në ajër, në qiell të hapur. S’kemi asgjë. Edhe këtu s’kemi as kushte, as gjë, pavarësisht se kemi fëmijë të vegjël”, tha një qytetar.

“Sot këtu, çfarë të bësh, nga e keqja. Ra tërmeti, u prishën shtëpitë, jo vetëm e jona. Por të tërë, siç e shikon. Unë u tremba, qava brenda sepse kisha frikë”, tha një vajzë e mitur.

45 familje kanë mbetur në qiell të hapur si pasojë e tërmetit të mëngjesit të së shtunës, ndërkohë që edhe në zonjën e Kolonjës ka pasur dëmtime të banesave.

“Sot po bie edhe shi, kështu që ato gjëra që kishim në shtëpi morën fund”, tha një qytetar.

Në fshatin me çadra. Banorët e Floqit, frikë jo vetëm nga tërmeti