Që nga e hëna, qytetarët e Prishtinës do të mund të bëjnë teste serologjike për COVID-19. Këto teste bëhen përmes gjakut dhe tregojnë nëse personi është dhe ka qenë i infektuar me koronavirus.
Këto teste gjithashtu pasqyrojnë imunitetin e popullatës dhe rrjedhimisht, do të ndikonin edhe në lehtësimin e masave kufizuese të një vendi.
Bujar Gashi, drejtor për shëndetësi në Komunën e Prishtinës, i tha Radios Evropa e Lirë se që nga dita e hënë do të fillojnë të testohen qytetarët, derisa fillimisht janë testuar personeli shëndetësor dhe zyrtarë të Komunës së Prishtinës.
Këto teste po bëhen përmes sektorit primar shëndetësor, pra Qendrave të Mjekësisë Familjare, që janë kompetencë e Komunës së Prishtinës.
Fillimisht, nga dita e hënë, do të bëhen nga 100 teste në ditë, për të vazhduar me nga 500 sosh në baza ditore. Sipas tij, përparësi testimi do të kenë qytetarët me simptoma të sëmundjes dhe personat mbi 60 vjeç. Ende nuk dihet çmimi i testit serologjik, meqenëse ende nuk është vendosur për këtë.
Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, përmes një postimi në Facebook, ka njoftuar se brenda dy javësh, do të rritet numri i testimeve në 400 në ditë.
Gashi thotë se do të bëhen tre lloje të testeve serologjike, imunoglobina A, M dhe G.
‘’Imunoglobulina A është përgjegjëse për periudhën fillestare të sëmundjes që tregon se janë krijuar antitrupat në fazën fillestare dhe pacienti ndodhet në pesëditëshin e parë të infeksionit. Imonuglobulina M, tregon për gjendjen aktive, nëse janë formuar antitrupa nga dita e 6 deri në ditën e 14, ndërkaq imunoglobulina G, tregon për krijimin e antitrupave që organizmi tregon se ka krijuar imunitet ndaj virusit’’ tha Gashi.
Testet serologjike, por edhe ai i PCR-së, do të mund të bëhen edhe në klinika private.
Testi PCR përcakton nëse virusi është aktiv, duke analizuar strishot nga hunda dhe fyti.
Më 14 korrik, Ministri i Shëndetësisë në Kosovë, Armend Zemaj, ka nënshkruar udhëzimet administrative, përmes së cilave u lejohet edhe institucioneve shëndetësore private të kryejnë testime për SARS-Cov-2.
Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti, i tha Radios Evropa e Lirë se institucionet private që aplikojnë për licencim për kryerjen e testeve, duhet të plotësojnë një sërë kushtesh që janë përcaktuar në bazë të udhëzimeve administrative.
Më herët ishte raportuar se institucioneve private nuk do t’iu lejohet të kryejnë testin PCR i cili përcakton saktë se a ekziston virusi në trup dhe bazohet në analizën e mostrave të strishos në hundë.
Mirëpo, zëdhënësi Hoti tha se nëse laboratorët privatë posedojnë aparaturat e nevojshme dhe përmbushin kushtet për testime të tilla, atëherë do të lejohen t’i kryejnë ato.
‘’Ka pasur interesim nga laboratoret private për aplikim. Por, fillimisht kanë ardhur të interesohen nëse kanë aparaturë të nevojshme për t’i kryer këto teste, varësisht kushteve që i ka vënë Ministria e Shëndetësisë. Nëse ndonjë laborator ka kushte teknike, personel, biosiguri dhe ekspertë të fushës, do të mund të kryhen edhe teste PCR, pra me strisho, por edhe teste serologjike”.
“Në udhëzim administrativ nuk ndalohet të bëjnë teste të tilla laboratoret private, por që raportimi në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik duhet të jetë në baza ditore’’, tha Hoti.
Video: Brenda Klinikës Infektive: Lufta mes jetës dhe vdekjes
Nga laboratoret private thonë se tashmë kanë aplikuar në Ministrinë e Shëndetësisë për tu pajisur me leje, në mënyrë që t’i testojnë qytetarët.
Valon Sopa nga laboratori privat ‘’Analiza’’, i tha Radios Evropa e Lirë se ka kushte të bëjnë teste PCR, por vetëm teste serologjike.
“Nga ana teknike në laboratorin tonë kemi mundësi të bëjmë vetëm teste serologjike. Ne si laborator dje e kemi dorëzuar dokumentacionin e aplikimit në Ministrinë e Shëndetësisë dhe nuk kemi informacion se kur shqyrtohet. Aktualisht, asnjë laborator nuk ka leje të bëjë teste për COVID-19’’, tha Sopa.
Me anë të testimit serologjik, mund të rritet numri i personave të identifikuar të infektuar, por që janë asimptomatikë, e që është një përqindje e madhe.
Sipas profesionistëve shëndetësorë kjo me automatizëm do të ndikonte në parandalim të infeksionit pasi që rastet do të izoloheshin dhe do të pengohej përhapja në komunitet. Andaj, kjo edhe është arsyeja që shumë shtete e kanë aplikuar që nga fillimi i pandemisë testin serologjik.