Fjalë Kyçe

Tetë të dyshuar me koronavirus në Kosovë, njëri me simptome më të theksuara

Tetë të dyshuar me koronavirus në Kosovë, njëri me simptome më të theksuara

Tetë të dyshuar me koronavirus në Kosovë janë aktualisht duke u trajtuar në Klinikën Infektive në Prishtinë.

Kjo është bërë e ditur nga, drejtoresha e kësaj klinike, Lendita Ajvazi-Berisha.

Ajo ka thënë se janë në pritje të rezultateve të analizave për këta persona, të cilët kanë ardhur në Kosovë nga regjione të ndryshme.

“Po, janë tetë raste të reja të dyshuara me koronavirus që janë pranuar sot në Klinikën Infektive. Ata kanë ardhur në Kosovë nga regjione të ndryshme. Jemi në pritje të rezultateve nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik”, ka thënë ajo.

Ndërkohë, burime të Kohës kanë bërë të ditur se tek njëri pacient, simptomet janë më të theksuara.

“Fjala është për një vajzë të re, e cila ka udhëzuar nga Zvicra për në Kosovë dhe ka pasur kontakt me një të infektuar me koronavirus”, është bërë e ditur prej këtij burimi.

Ministri i Shëndetësie, Arben Vitia ka deklaruar dje se Qeveria e Kosovës planifikon t’i shpenzojë rreth 10 milionë euro rreth parandalimit dhe trajtimit të virusit, nëse do të ketë të prekur nga kjo sëmundje në Kosovë.

Në Shqipëri janë konfirmuar 10 të prekur nga ky virus, dhe qeveria ka mbyllur shkollat për dy javë.

Koronavirusi është përhapur në mbi 100 vende të botës ndërkohë që qeveritë kanë ndërprerë fluturimet me vendet e prekura, dhe disa kanë mbyllur kufijtë për një periudhë të pacaktuar.